E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkup, në histori ilirët nuk quhen paraardhës të shqiptarëve

Debati ka lindur pasi që në punimet e historisë së periudhës p.e.s., ilirët thuhet se kanë qenë popull kusarësh dhe se ky fis nuk njihen si paraardhës të shqiptarëve.

SHKUP-Komisioni Nacional për librat shkollorë në Shkup ka bllokuar nxjerrjen në dritë të librit shkollor të klasës së gjashtë, për shkak të përmbajtjes mohuese dhe fyese për origjinën e shqiptarëve. Problemi ka shpërthyer pasi që në punimet e historisë së periudhës p.e.s., ilirët thuhet se kanë qenë popull kusarësh dhe se ky fis nuk njihen si paraardhës të shqiptarëve.

Reagimi

Anëtarët shqiptarë të Komisionit Nacional kanë reaguar dhe kanë bllokuar punimet për hartimin e librit që duhej të jetë i gatshëm për nxënësit e klasës së gjashtë në shkollat fillore që nga fillimi i këtij viti shkollor, bën të ditur agjencia e lajmeve INA.

Kurse anëtarët maqedonas nuk kanë pranuar që ilirët të njihen si paraardhës të shqiptarëve, dhe kanë kërkuar që ata të njihen si popull kusarësh.

Lidhur me problemin e krijuar, janë informuar edhe ministri i Arsimit dhe Shkencës, Pançe Kralev, dhe zëvendësministri Safet Neziri, mirëpo ata kanë paralajmëruar se do të gjejnë një zgjidhje të pranueshme, duke u bazuar në fakte historike.

Zoran Radiç, kryetari i Komisionit Nacional për librat shkollorë, është një nga kundërshtarët e historisë shqiptare.

Përgjigjja

“Anëtarët shqiptarë kanë vërejtje se përse nuk nënvizohet se ilirët ishin fis shqiptarë, por unë pyes se ku shkruan kjo në histori? Gjithashtu, kanë vërejtje se përse është shkruar se ilirët kanë qenë kusarë. Por, më thoni se cili vend që ka dalje në det nuk ka pasur kusarë?”, ka theksuar për gazetën “Utrinski”, Zoran Radic, duke theksuar se problemi duhet të zgjidhet në instanca më të larta.

Anëtarët shqiptarë janë të mendimit se kryetari i këtij komisioni të lartë që i takon komunitet serb duhet të shkarkohet nga detyra prej mosnjohjes së gjërave elementare të lëndës apo për veprimet tendencioze.

Nuk kanë qenë ta pakta rastet kur nëpër historitë e ndryshme të shkruara në vendet e Ballkanit ka pasur probleme që kishin të bënin me prejardhjen e tyre. I njëjti problem ishte edhe kur ishte botuar historia në Kosovë, lidhur me periudhën otomane, kur nuk ishte përcaktuar statusi i turqve, dhe për këtë kishte reaguar edhe qeveria turke, të cilët kishin dashur që ata të mos trajtoheshin si pushtues.

Probleme të ngjashme janë hasur qoftë edhe me historinë e shkruar në Greqi apo në Serbi, ku jo pak herë është abuzuar lidhur me origjinën e shqiptarëve, gjë e cila ka sjellë përplasje mes palëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›