E Diel, 1 Nëntor 2026

Vasillaq Bollano, drejt Gjykatës së Lartë

Apeli i Vlorës shpall të pafajshëm kryebashkiakun e Himarës, por prokuroria këmbëngul

Gjykata e Apelit e Vlorës ka vendosur dje të shpallë të pafajshëm kryetarin e Bashkisë së Himarës, Vasillaq Bollano, i cili ishte dënuar nga Gjykata e Faktit për shpërdorim të detyrës me 6 muaj burg, 500 mijë lekë gjobë dhe ndalim të ushtrimit të funksioneve publike për tre vjet.

Në seancën e zhvilluar dje në kushtet e konspiracionit të plotë në Gjykatën e Apelit në Vlorë, trupi gjykues me relator Iliba Bezatin e ka deklaruar kryebashkiakun himarjot të pafajshëm, duke arsyetuar se ai nuk provohet të ketë konsumuar elementë të veprës penale të shpërdorimit të detyrës, duke rrëzuar kështu vendimin e një viti më parë të Gjykatës së Shkallës së Parë, që e cilësoi atë fajtor.

Prokurori i çështjes, Pelivan Malaj, tha dje pas daljes së vendimit se nuk ishte dakord me dhënien e pafajësisë, pasi prokuroria ka prova të mjaftueshme që vërtetojnë konsumimin e veprës penale. “Ne kemi bërë rekurs në Gjykatën e Lartë dhe presim që argumentet tona të pranohen nga kjo gjykatë”, tha dje prokurori Malaj.

Më 21 prill të vitit 2009, kryetari i Bashkisë së Himarës, Vasillaq Bollano, u dënua nga Gjykata e Shkallës së Parë e Vlorës me vendimin e trupit gjykues të kryesuar nga Shkëlzen Selimi. Në këtë vendim përcaktohej se Bollano kishte shpërdoruar detyrën e tij publike, duke urdhëruar heqjen dhe çmontimin e sinjalistikës rrugore në segmentin Llogora-Qeparo, pjesë e rrugës kombëtare Vlorë-Sarandë.

Sipas këtij vendimi, nga dy urdhra të lëshuar prej kryebashkiakut himarjot ishin dëmtuar interesat shtetërore, shoqëruar kjo me një dëm financiar prej rreth 1.8 milionë lekësh. Në vendimin përkatës përcaktohej gjithashtu se Bollano kishte konsumuar elementë të veprës penale të shpërdorimit të detyrës, e parashikuar në nenin 248 të Kodit Penal.

Shkak për këtë dënim janë bërë dy urdhra të lëshuar prej Bollanos për policinë bashkiake, në muajt tetor dhe dhjetor të vitit 2007, për heqjen e tabelave që ishin vendosur me miratimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve në aksin rrugor Qeparo-Llogora.

Këto tabela ishin vendosur në kuadrin e një projekti për zhvillimin e turizmit, i shtrirë në segmentin nga Vlora në Sarandë, financuar nga Banka Botërore, në bashkëpunim me Ministrinë e Transportit, Punëve Publike dhe Telekomunikacionit, si dhe Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve, me një vlerë prej rreth 6 milionë lekësh. Përmes këtyre tabelave, evidentoheshin objektet me vlerë historike, arkeologjike e turistike të zonës, mes të cilave plazhi i Dhërmiut, kalaja e Himarës, kalaja e Porto Palermos etj.

Zyrtarisht, Vasillaq Bollano ngriti pretendimin se këto tabela ishin vendosur pa lejen e Bashkisë së Himarës, që ka nën administrim territorin ku kalon ky segment i rrugës kombëtare. Sipas kryebashkiakut, për tabelat duhej të merrej miratimi i KRRT-së së bashkisë, gjë që u anashkalua dhe u bë shkak për urdhrin e shkuljes së tyre.

Por e vërteta qëndron ndryshe dhe për këtë ekzistojnë dokumente që Vasillaq Bollano ia ka dërguar Prefekturës së Vlorës. Në mars të vitit 2008, kur gazeta “Shqip” denoncoi për herë të parë shkeljen e kryer nga Bollano, prefekti i atëhershëm i Vlorës, i ndjeri Xhevahir Rexhepi deklaroi se Vasillaq Bollano kishte bërë dy shkresa, drejtuar atij dhe prefektit paraardhës, Kreshnik Alimerko, ku kërkonte që tabelat që po vendoseshin në rrugën nacionale, përveç gjuhës shqipe dhe angleze, të ishin edhe në gjuhën greke. Pikërisht pas refuzimit të këtyre kërkesave nga dy prefektë të Vlorës, Bollano nxori urdhrin për shkuljen e tabelave që tregonin zonat turistike, objektet me vlera historike dhe objektet e kultit në zonë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›