Largimet nga puna, ngrihen zyrat e mbrojtjes së administratës publike
Basha çel zyra avokatie falas për të mbrojtur demokratët që Rama do largojë nga puna
Kushdo që largohet nga puna në mënyrë të pa drejtë, mund të ankohet në zyrat ligjore që do të hapen falas në të gjitha qytetet e vendit. Kryebashkiaku i Tiranës, njëherësh edhe kryetari i ri i Partisë Demokratike Lulzim Basha është zotuar para qytetarëve se do të ngrejë një strukturë të posaçme për mbrojtjen e administratës publike. Struktura në fjalë do të funksionojë për punonjësit, të cilët largohen padrejtësisht nga puna për motive politike apo si pasojë e padrejtësive të tjera. Qytetarët që do të drejtohen aty do të marrin ndihmë ligjore falas dhe ndjekje të çështjes deri në fund.
Premtimi i Bashës
“Unë do të punoj fort që Partia Demokratike, grupi i saj parlamentar dhe gjithë potenciali i saj njerëzor të angazhohen në një opozitë të fortë, gardiane e interesit publik. Ne do të vigjilojmë me vendosmëri dhe pa asnjë lëshim për mbrojtjen e shtetit ligjor, institucioneve dhe administratës publike nga arbitrariteti dhe abuzimi me pushtetin,” ky ishte premtimi i Lulzim Bashës, pjesë e fjalimit të tij programatik, kur kandidoi për postin e kreut të Partisë Demokratike dhe që e zhvilloi më pas në të gjitha takimet me anëtarësinë e Partisë Demokratike. Duke e shndërruar në një nga tezat kryesore të tij, Basha iu premtoi demokratëve dhe qytetarëve të tjerë se Partia Demokratike do të mbronte çdokënd që Qeveria e re do të largonte padrejtësisht nga puna.
Struktura e re
Tashmë që është zgjedhur në krye të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka ngritur menjëherë një grup juristësh, që po punojnë për ngritjen e kësaj strukture, e cila do të gjendet pranë çdo dege të Partisë Demokratike në rrethe dhe që do të koordinohet nga qendra nëpërmjet një grupi të posaçëm për këtë çështje. Zoti Basha ka konfirmuar në media se këto zyra në të gjithë vendin do të përbëhen nga juristë dhe ekspertë për të drejtën administrative dhe kushtetuese, të cilët do t’u japin konsulencë të gjithë atyre qytetarëve të cilët do të ankohen për largim të padrejte nga puna.
Qëllimi
Kryetari i ri i Partisë Demokratike konfirmoi gjithashtu se struktura e re në mbrojtje të administratës publike do të ketë në përbërjen e saj avokatë që do të mbrojnë interesat e të dëmtuarve nga Qeveria e re, shërbim i cili do të ofrohet falas nga Partia Demokratike. Opozita e re po bëhet gati që ta ketë të ngritur këtë strukture dhe ta ketë funksionale përpara se Qeveria e kryeministrit Edi Rama të bëjë betimin tek presidenti, duke qenë e gatshme gjithashtu të çojë për ndjekje penale çdo titullar institucioni që provohet se është në shkelje të ligjit.
Fenomeni
Pikërisht një strukturë e tillë vjen në një moment delikat të ndërrimit të pushteteve dhe të formimit të qeverisë së re në shtator të këtij viti. Duke qenë se tashmë në vendin tonë është bërë fenomen ndërrimi i administratës bashkë me qeverinë, z.Basha ka menduar se ky është momenti i përshtatshëm dhe forma e vetme për mbrojtjen e qytetarëve që e kanë mbështetur. Vetëm pak javë më parë komisionerë të Avokatit të Popullit në një raport të prezantuar prej tyre, theksuan se gjatë muajve të fushatës kanë ardhur 40 denoncime për largime nga puna, për shkak se këta qytetarë (kryesisht mësues) nuk iu përgjigjën thirrjes së partive për të mbushur sheshet e mitingjeve.
Dokle: Lulushi pushoi edhe pastrueset
Pas deklaratës të Bashës ka reaguar deputeti socialist, Namik Dokle, i cili i ka kujtuar Bashës pushimet masive nga puna, pas emërimit të tij si kryebashkiak i Tiranës. Kryetari i ri i PD-së, tollumbacja që vetëfryhet me gazin e Sali B. na paska krijuar grupe pune për mbrojtjen e administratës nga qeveria e re!!! Dhe kush?! LuliLuli që vuri sharrë e sëpatë kundër administratës në Bashkinë e Tiranës. Luli që pushoi në një ditë 70 vetë. Luli që pushoi nga puna lulishtarë dhe pastruese. Ky farë lulushi që vuri edhe policët e tij rrugaçë për të rrahur edhe gratë që i rezistuan masave të tija fashistoide. O tempora, o mores! Po ku ta gjesh moralin te këta?! Aq sa gjendet gjilpëra në kashtë, shprehet Dokle.