Rama: Janë fshehur statistikat, audit ndërkombëtar qeverisjes
INSTAT jashtë kontrollit të politikës, menaxhim 5-vjeçar nga një institucion i BE
Sistemi qeverisës dhe ai administrativ do ti nënshtrohet një auditi ndërkombëtar. Kërkesa e bërë publike edhe më herët nga kryeministri i ardhshëm Edi Rama, është përforcuar dje gjatë një tryeze diskutimi në Tiranë me drejtues të bankave shqiptare dhe atyre të huaja. Ky audit sipas Ramës bëhet në kushtet e mungesës së transparencës së të dhënave për të përballuar krizën.
Auditi
Ne besojmë që sot jetojmë me një gjysmë të vërtetë, për shkak se shumë nga të dhënat dhe shumë nga elementët e gjithë procesit qeverisës, nuk janë pjesë e asaj transparence të domosdoshme për të përballuar krizën që kemi rreth e rrotull. Ne do të ndërmarrim edhe një hap që besoj do të jetë komplementar për të kërkuar nga një kompani ndërkombëtare auditimi që të na ndihmojë që një orë e më parë ne të kemi në tryezë të vërtetën dhe gjithë të vërtetën, tha Rama.
Instati
Për ti dhënë fund fabrikimit të të dhënave, Edi Rama tha se Instituti i Statistikave duhet të kthehet në një institucion të pavarur dhe për këtë do të nevojitet një periudhë pesë vjeçare binjakëzimi me një institucion të një vendi të Bashkimit Evropian. Ne duam që një orë më parë INSTAT të shkëputet nga tutela e Qeverisë dhe të kthehet në një institucion të pavarur. Për këtë besojmë shumë tek dobia e një projekti në suazën e programeve të Bashkimit Europian, të binjakëzimit të INSTAT-it shqiptar me një INSTAT të një vendi të BE dhe të marrjes së menaxhimit për një periudhë 5-vjeçare nga INSTAT-i i atij vendi, në mënyrë që gjithë stafi lokal të punojë i çliruar nga presioni i politikës dhe më në fund të kemi shifrat reale të papunësisë, të varfërisë, tha Rama. Një tjetër hallkë e rëndësishme sipas Ramës është ngritja e një strukture të ndërmjetme qeveri-sipërmarrës, Këshillit Ekonomik Kombëtar, ku pjesëmarrja e përfaqësuesve të bankave është e domosdoshme.
Fullani
I pranishëm në takim, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani theksoi rëndësinë e zbutjes së pasigurisë në ekonomi. Nisma të tjera do të mbështesin uljen e pasigurisë. Unë mendoj që këto lista duhet të jenë: forcimi i planeve të kontigjencës dhe i marrëdhënieve me sesionet financiare ndërkombëtare; rritja e transparencës dhe e konsistencës së programeve të zhvillimit, si në nivel kombëtar dhe në nivel sektorial; forcimi i kuadrit ligjor, rregullatorët fiskalë dhe minimizimi i luhatjeve të tyre; përmirësimi i klimës së biznesit në marrëdhëniet e tij me administratën tatimore dhe në marrëdhëniet me sistemin gjyqësor, u theksua dje gjatë konferencës. Ndërsa sipas Shoqatës së Bankave një nga problemet më të mëdha me të cilat po përballet sistemi bankar janë kreditë e këqija.
Takimi
Takimi i Edi Ramës me bankierët është ndër të parët që kryeministri i ardhshëm ka zhvilluar me grupet e interesit dhe aktorët kryesorë të ekonomisë. Gjatë takimit është vlerësuar fakti që për sistemin financiar duhet të bëhet një auditim ndërkombëtar, si dhe duhen rivlerësuar marrëdhëniet me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Një hap i tillë, sipas pjesëmarrësve në tryezë, do të ndihmojë shumë në marrjen e masave konkrete për stabilizimin makroekonomik të vendit.
Shoqata e Bankave
Kryetari i Shoqatës së Bankave, Seyhan Pencabligil, duke shprehur shqetësimin për rritjen e nivelit të kredive të këqija, që tashmë kanë arritur në 25 %, tha se ndikimi i tyre në ekonominë e vendit është i madh. Ai kërkoi gjithashtu një stabilitet në sistemin e taksave, pasi sipas Pencabligil, ndryshimet e shpeshta kanë ngjallur pasiguri tek investitorët e huaj.
Fullani
Guvernatori i Bankës Qendrore, Ardian Fullani, duke bërë një analizë të plotë të sistemit financiar, tha se, ai është solid dhe një ndër elementët kryesorë që ndikojnë në rritjen ekonomike. Sipas Fullanit, ekonomia po përballet me sfida që kushtëzohen nga presioni i brendshëm, por dhe i jashtëm. Në këto kushte, tha guvernatori, kërkohet një aksion që duhet të mbështetet në tre shtylla kryesore: ruajtjen e stabilitet makrofinanciar, zbutjen e pasigurisë dhe reformat drejt BE-së.
Rama
Ne jemi shumë të interesuar e të vendosur që në këtë fazë të parë të bëjmë gjithçka që e vërteta e ekonomisë sonë të dalë në pah, besojmë se jetojmë me një gjysmë të vërtetë, se shumë nga të dhënat e procesit qeverisës nuk janë pjesë e transparencës së domosdoshme për të përballuar krizën që kemi rreth e rrotull. E kam përshëndetur nismën e guvernatorit për të nxitur programin e vlerësimit të sektorit financiar me ekspertizën e FMN dhe BB. Do të kërkojmë nga një kompani ndërkombëtare auditimi për të pasur në tryezë të gjithë të vërtetën.