Optimizëm për marrjen e statusit në fund të vitit
Presidenti Nishani merr pjesë në takimin e Kryetarëve të Procesit të Brdo-s
Në Takimin e Kryetarëve të Procesit të Brdo-s, Slloveni, Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani deklaroi se pas përmbushjes së rekomandimeve, ka më shumë optimizëm për marrjen e statusit të vendit kandidat të bazuar në meritë, këtë fundvit. “Mbetemi plotësisht të përkushtuar në intensifikimin e luftës kundër korrupsionit e krimit të organizuar, forcimin e shtetit të së drejtës dhe përshpejtimin e ritmit të reformave për arritjen e standardeve evropiane. Ky është një proces që kërkon vijueshmëri. Kështu, do t`u ofrojmë qytetarëve tanë shërbime të cilësisë evropiane dhe do të arrijmë objektivin më parësor strategjik, integrimin evropian”, deklaroi Presidenti Nishani.
Në prani të Presidentëve të vendeve të rajonit dhe Presidentit francez Hollande, Presidenti Nishani nënvizoi në fjalën e tij edhe faktin se rajoni i Ballkanit Perëndimor ka ndërruar faqen e historisë, duke u shndërruar nga burim kokëçarjesh, në hapësirën e mundësive të shumta që duhen shfrytëzuar nëpërmjet projekteve konkrete të bashkëpunimit. “Tashmë, dialogu është gjuha e komunikimit, ku bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë risia më e këndshme dhe meritojnë mbështetje të veçantë. Por, ne mendojmë se bashkëpunimi rajonal konkretizohet, përtej deklaratave verbale, nëpërmjet projekteve konkrete për krijimin e një infrastrukture të përbashkët moderne rajonale, bashkëpunim në fushën e turizmit, transportit, mbrojtjen e ambientit, heqjes së gjithë barrierave jofizike të lëvizjes së njerëzve, mallrave e kapitaleve, rritjes së shkëmbimeve, njohjes më mirë të njëri-tjetrit. Angazhimi ynë i përbashkët do t`i shërbejë rritjes së potencialit ekonomik të rajonit, për ta bërë atë një treg të dukshëm, tërheqës dhe konkurrues për investitorët e huaj nga e gjithë bota”,theksoi Presidenti Nishani. Duke vlerësuar rolin e Procesit të Brdo-s për forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, stabilitetit si dhe proceseve integruese të vendeve të rajonit tonë, Presidenti Nishani u shpreh se Sllovenia dhe Kroacia janë zëra të fortë dhe avokatë të rajonit tonë në BE dhe se arritjet e tyre janë një vlerë që duhet shfrytëzuar në procesin integrues të të gjithë vendeve të rajonit. Në përfundim të Takimit të Kryetarëve të Procesit të Brdo-s, Presidenti Pahor ftoi zyrtarisht Presidentin Nishani për të vizituar Slloveninë, ftesë që u pranua me kënaqësi nga Kreu i Shtetit shqiptar. Sipas Nishanit, politika e jashtme e Republikës së Shqipërisë është e orientuar në forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe intensifikimit të bashkëpunimit rajonal. Shqipëria nuk ka probleme të hapura me asnjë nga vendet e rajonit. Interesave kombëtare të Shqipërisë u shërbehet mirë në një mjedis rajonal paqësor, të stabilizuar, demokratik, ekonomikisht të zhvilluar. “Ne kemi inkurajuar shqiptarët në rajon që të veprojnë në mënyrë institucionale dhe të mbështesin reformat për konsolidimin e demokracisë dhe shtetit ligjor, si edhe procesin e integrimit evroatlantik të vendeve ku ata jetojnë. Natyrisht, do të jemi gjithmonë për respektimin e të drejtave të tyre sipas standardeve më të përparuara evropiane dhe ndërkombëtare. Kjo politikë, e formësuar dhe zbatuar pa ekuivoke prej më shumë se dy dekada, do të mbetet një konstante, në shërbim të paqes dhe stabilitetit rajonal”- tha ai. Ai njoftoi se në Shqipëri do të zhvillohet këtë vjeshtë, dhe pikërisht në Durrës, më 16-17 shtator Samiti i pestë Rajonal Vjetor i radhës. Gjatë këtyre takimeve të përvitshme, ne kemi rikonfirmuar nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, miqësisë e bashkëpunimit midis vendeve tona, si edhe jemi angazhuar të kontribuojmë në nxitjen e mëtejshme të kësaj fryme, si në dialogun politik, bashkëpunimin ekonomik dhe në çështje të interesave të përbashkëta rajonale dhe në bashkëpunimin në kuadër të integrimit evropian të vendeve tona. “Ne besojmë dhe, me gjithë zemër urojmë që këtë vit të kemi mes nesh edhe presidentët e Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës”, theksoi ai.