E Shtunë, 31 Tetor 2026

Largimi, Brokaj: Pse jam zhgënjyer nga politika

Intervista/ Nënkryetari i LSI-së, Sabit Brokaj, komenton vendimin e tij për të dorëzuar mandatin e deputetit
TIRANË- Pasi la postin e kryetarit të grupit parlamentar të LSI-PDS, gati gjashtë muaj më parë, dje nënkryetari i LSI-së, Sabit Brokaj, ka dorëzuar mandatin e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë. Në një intervistë për gazetën "Shekulli", Brokaj jep arsyet e këtij akti, duke argumentuar se ndjehet i lodhur nga zhgënjimet 17 vjeçare të politikës. Megjithëse mohon që akti i dorëzimit të mandatit të ketë lidhje me ndonjë mosmarrëveshje me lidershipin e partisë në të cilën bën pjesë, Brokaj deklaron se jo për çdo vendim apo lëvizje të ndërmarrë nga partia ka qenë dakord. Gjithashtu ai bën të ditur se pas largimit nga jeta parlamentare, do t'i përkushtohet më shumë aktivitetit të tij si mjek kardiolog, ku nuk përjashton mundësinë e hapjes edhe të një klinike private mjekësore.
Z.Brokaj keni ndërmarrë një akt të pazakontë në politikën shqiptare, duke dorëzuar në mënyrë vullnetare mandatin e deputetit. Cilat janë arsyet dhe shkaqet që ju çuan në këtë veprim?
Mendoj se cilido politikan, gjithnjë duke bërë bilancet e veprimtarisë së vet, gjendjes reale, produktit politik e të tjera, është normale që të marrë vendime të këtij karakteri. Aq më shumë që unë i përkas edhe një fushe në të cilën kam konsumuar shumë energji, shumë punë dhe shumë kohë, siç është mjekësia. Në këto kushte e shoh për momentin se do të ishte më produktive që aktivitetin politik parlamentar ta ndërpres dhe ta vazhdoj vetëm në aspektin politik partiak të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Kjo, për të kaluar gjithë angazhimin tim në profesion dhe për të lënë hapësirë njerëzve shumë të motivuar të angazhohen në atë vend që isha unë.
Jeni shprehur gjatë deklarimit të këtij vendimi në Kuvend se jeni ndjerë i zhgënjyer nga politika. Përse?
Natyrisht. Unë do të thosha se nuk do të kishte asnjë politikan shqiptar, që e nisi me idealet dhe qëllimet e mëdha politikën në vitet '90 ,dhe të mos ketë zhgënjime. Kur u nis kjo rrugë, të gjithë ne, pra ata që e kishin mundësinë që të kishin dhe formimin tim, gjykonim që tranzicioni mund të vazhdonte e shumta deri në dhjetë vjet. Nuk e mendonim kurrë që edhe pas 17 vjetësh të na dukej tranzicioni i pambarimtë. Ka dhe shumë zhgënjime të tjera, aq më shumë që progresi në procesin demokratik është aq i ngadaltë, ose më saktë ka aq shumë shpërfytyrime dhe deformime, sa mjafton të themi që ne nuk ulemi dot dhe të bëjmë një Kod Zgjedhor apo karta identiteti e të tjera, elemente bazë këto për demokracinë dhe për shtetin. Këto janë pohime që nuk i bëj vetëm unë, por të tërë. Çështja është se për momentin unë reflektoj në këtë mënyrë. Prandaj dhe thashë më parë që ai politikan që mendon se politika është në funksion të zhvillimeve të vendit, të popullit të vet dhe jo thjesht për kuletën e tij, të mos zhgënjehet kur e gjithë ajo aspiratë dhe ai zjarr i ndezur për aspirata të mëdha në fillim të viteve 90 të mos realizojë objektivat që ne kërkonim.
Ndërkohë që prej disa muajsh ekziston dhe një ide se marrëdhëniet tuaja me lidershipin e LSI-së nuk ishin shumë të mira. Ka të bëjë kjo me largimin tuaj në këtë moment?
Dua të sqaroj se unë kam qenë në përputhje të plotë me zhvillimet kryesore dhe tërësore të LSI-së. Sikur unë të pajtohesha me çdo gjë, edhe për problemet e vogla, atëherë unë s'do kisha pse të qëndroja në politikë.
Pas kaq shumë zhgënjimesh dhe pas një jete kaq të gjatë politike aktive, cili është përkufizimi juaj për politikën shqiptare?
Është vështirë ta them me pak fjalë, por do të thosha se politika shqiptare nuk e parapriu zhvillimin e vendit, nuk e luajti rolin progresiv që popullit të vet t'i plotësojë kërkesat e tij. Në mjaft raste e orientoi jo mirë, sidomos në pikëpamjet e dëmtimit të vlerave, të agresivitetit. Pra politika nuk i shfrytëzoi hapësirat që i krijoi ndryshimi i sistemit.
U larguat nga PS-ja për të krijuar së bashku me një sërë figurash të tjera politike LSI-në. Besoni se ia vlejti kjo sakrificë dhe a ia arritët atij qëllimi për të cilin dhe u shkëputët nga PS-ja?
Në këtë aspekt nuk jam i zhgënjyer. Dhe vendimmarrja për t'u larguar nga Partia Socialiste nuk qe ndonjë moment emocional, por mund të them se ishte një proces në kohë. Mund të gjykoj se në bilancin tërësor, që mund t'i bëj veprimtarisë dhe gjendjes së LSI-së, nuk kam zhgënjime. Prandaj gjykoj se vendimi që kam marrë është i drejtë.
Cilat janë marrëdhëniet e tua me kryetarin e LSI-së Ilir Meta?
Marrëdhëniet me Metën janë fare të mira dhe mëse normale.
Konkretisht, me çfarë do të merreni tani pas këtij largimi nga jeta parlamentare?
Angazhimin kryesor do ta kem profesional, në kardiologji, në kabinet dhe natyrisht në spital dhe kryesisht në aktivitetin pedagogjik si pedagog i jashtëm, veprimtari që unë e kam ruajtur në mënyrë të vazhdueshme edhe kur kam qenë në politikë.
Është vështirë ta them me pak fjalë, por do të thosha se politika shqiptare nuk e parapriu zhvillimin e vendit, nuk e luajti rolin progresiv që popullit të vet t'i plotësojë kërkesat e tij. Në mjaft raste e orientoi jo mirë, sidomos në pikëpamjet e dëmtimit të vlerave, të agresivitetit
Angazhimin kryesor do ta kem profesional, në kardiologji, në kabinet dhe natyrisht në spital dhe kryesisht në aktivitetin pedagogjik si pedagog i jashtëm, veprimtari që unë e kam ruajtur në mënyrë të vazhdueshme edhe kur kam qenë në politikë.
Dua të sqaroj se unë kam qenë në përputhje të plotë me zhvillimet kryesore dhe tërësore të LSI-së. Sikur unë të pajtohesha me çdo gjë, edhe për problemet e vogla, atëherë unë s'do kisha pse të qëndroja në politikë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›