Meta: Tërheqja veprim individual, Braho deputet
Kryetari i LSI-së, Meta, komenton largimin nga politika të Sabit Brokajt
TIRANË- Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Sabit Brokaj, ka dorëzuar dje në Kuvend gjatë seancës plenare mandatin e deputetit, duke deklaruar njëkohësisht tërheqjen e tij nga jeta politike parlamentare. Duke bërë të ditur se arsyeja e këtij largimi ishte personale, Brokaj ka theksuar se ndjente një zhgënjim shumë të madh për atë që ka mundur të bëjë politika shqiptare në këto 17 vjet pluralizëm politik. Megjithëse nuk përjashtohet mundësia që vendimi të jetë marrë edhe për shkak të mospajtimit të tij me disa prej vendimeve të strukturave drejtuese të partisë ku ai bën pjesë, veprimi i Brokajt është vlerësuar nga të gjithë parlamentarët shqiptarë si një akt model në politikën shqiptare. Ndërkohë, do të jetë ish-kryetari i Komisionit parlamentar të Ligjeve, Spartak Braho, ai që do të zëvendësojë Brokajn në parlament. Vendimin e ka bërë të ditur dje kryetari i LSI-së Ilir Meta, menjëherë sapo Brokaj bëri të ditur tërheqjen e tij nga jeta politike parlamentare. Duke vlerësuar rolin që ka luajtur Brokaj si në parlament, ashtu edhe jashtë tij, kreu i LSI-së ka theksuar se vendimi i tij ishte personal. Sipas tij, ish-kryetari i grupit LSI-PDS do të vazhdojë të jetë një nga figurat qendrore dhe më të rëndësishme të Lëvizjes Socialiste për Integrim, duke mbajtur postin e njërit prej nënkryetarëve të partisë. "Përsa i takon dorëheqjes së Brokaj nga mandati i tij, ky është një vendim krejtësisht i bazuar mbi vullnetin e tij individual, por kjo nuk do të thotë një largim nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Pavarësisht këtij vendimi, ai mbetet një nga figurat kryesore që ka kontribuar jo vetëm në themelimin e LSI-së, por edhe që do të ndihmojë në të ardhmen për arritjen e objektivave të kësaj force politike", tha Meta. Gjithashtu, Meta ka bërë të ditur se vendimi për të propozuar Brahon, si deputetin më të ri të LSI-së, është marrë në bazë të rezultateve që ka marrë secili kandidat në zgjedhjet e vitit 2005. "Zëvendësuesi do të jetë sipas radhësnë listën e LSI-së në zgjedhjet e 3 korrikut. Dihet që i pari ka qenë z. Prifti që ka përfituar rezultatin më të mire dhe i dyti me sa di unë është z. Braho",u shpreh Meta. Brokaj vetëm gjashtë muaj më parë dha dorëheqjen edhe nga posti i kryetarit të grupit parlamentar të LSI-PDS.