E Diel, 1 Nëntor 2026

Leskaj: A1, ndërprerja e energjisë nga KESH për motive politike

Reagon zyrtarisht grupi parlamentar i PS lidhur me situatën e paprecedente ndaj Tv A1
TIRANË- Ndërprerja e energjisë elektrike televizionit A1 po sensibilizon çdo ditë e më shumë politikën shqiptare. Pasi një çështje e tillë u bë objekt i një debati të gjatë dy ditë më parë në Komisionin parlamentar të Medias, dje ka ardhur dhe reagimi zyrtarë nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste, i cili ka denoncuar veprimin e Korporatës Elektro Energjitike si abuziv dhe në dëm të lirisë së medias në vend. Kryetarja e grupit parlamentar socialistë, Valentina Leskaj, në cilësinë edhe të kryetares së komisionit parlamentar të Medias, në një konferencë për shtyp e ka cilësuar këtë veprim si tërësisht arbitrar, pasi KESH-i sipas saj në kundërshtim me ligjin ka faturuar energjinë elektrike në mënyrë afrofe edhe pse matësat e energjisë elektrike të vënë po prej tij funksionojnë normalisht. "Dua të denoncoj një rast të papreçedent, një shkelje që ka të bëjë me liritë e mediave dhe kjo lidhet me rastin e ndërprerjes arbitrare të energjisë elektrike të televizionit A1 nga ana e KESH. Them se kjo ka të bëjë me lirinë e medias, sepse ky është një presion i hapur dhe një rast i papreçedent që një televizioni t'i ndërpritet energjia për 5 javë. Ky televizion po penalizohet, pra për një faturë afrofe, ndërkohë që ka të instaluar aparatin matës të vendosur nga KESH dhe të monitoruar nga KESH. Pra, ndërkohë që ka aparat matës, fatura vjen afrofe. Kjo është absurde", - u shpreh Leskaj. Gjithashtu ajo nuk ka nguruar ta cilësoj këtë veprim dhe qëndrim të mëpasshëm të KESH-it si të motivuar politikisht për ta detyruar këtë media që të zbusë qëndrimin e saj opozitar ndaj qeverisjes. "Natyrisht, motivet janë të pastra politike, për sa kohë që e ashtuquajtura masë ndëshkimore lidhet me një vepër të pakryer nga televizioni", - ka theksuar më tej Leskaj. Nisur nga ky precedent që cenon të drejtën jo vetëm të transmetuesit, por edhe të shikuesve, selia rozë i bënë thirrje KESH-it që të zbatoj vendimin e Entit Regullator të Energjisë për ti rikthyer këtij televizioni energjinë elektrike. "Lidhur me këtë çështje, është shprehur edhe enti rregullator i energjisë, të cilin e ngarkon ligji si enti i pavarur për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërmjet palëve në këtë fushë. Ky ent pasi ka konstatuar se nga ana e KESH nuk është respektuar Kodi i Matjes, ka kërkuar rilidhjen e energjisë për televizionin në fjalë. Nuk e di çfarë e shtrëngon KESH që të mos e respektojë vendimin e entit rregullator, por mesa duket ka një koordinim të masave represive të strukturave të shtetit", - tha Leskaj. Situata bëhet më shqetësuese sipas socialistëve, pasi një çështje e tillë është bërë objekt i reagimit edhe të organizatës ndërkombëtare, "Reporter pa kufij", ç'ka ka sjellë dhe një dëmtim të imazhit të Shqipërisë në sytë e ndërkombëtarëve përsa i përket lirisë së shprehjes në vend. "Për këtë çështje ka reaguar edhe organizata prestigjioze "Reporter pa kufij", i cili nënvizon absurdin që KESH, krejt papritur kërkoi nga TV A1, të paguante 32 mijë euro, duke pretenduar se gabimet në automatin e instaluar dhe mirëmbajtur nga KESH, e kishin bërë televizionin të paguante më pak. Pra, kemi dy reagime të dy institucione të pavarura, që çuditërisht bien në vesh të shurdhër dhe kjo nuk është rastësore. KESH duhet të jap prova që nuk është i përdorur në këtë rast", - përfundoi deklaratën e saj Valentina Leskaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›