PS, Bushati: Vizat, Berisha t’u kërkojë falje shqiptarëve
TIRANE-Partia Socialiste i bëri thirrje kryeministrit Sali Berisha që ti kërkojë publikisht falje popullit shqiptar për vonesën e Shqipërisë në liberalizimin e vizave. “është koha që Sali Berisha t’i kërkojë ndjesë shqiptarëve për dështimin e qeverisë së tij dhe për izolimin që sot përjetojmë në dallim nga fqinjët tanë, deklaroi sot në një deklaratë për shytp nga selia e pS, deputeti i kësaj partie Ditmir Bushati. Deputeti socialist Ditmir Bushati duke iu referuar lajmit për përfshirjen e fqinjëve tanë në një rregjim pa viza me hapësirën Shengen theksoi se lajmi sa inkurajues është dhe trishtues, për faktin se Shqipëria e nisi e para këtë proces që në vitin 2004. “Shqipëria mbeti e fundit në procesin e liberalizimit të vizave për shkak të dështimit të përmbushjes së kritereve të përcaktuara nga Bashkimi Europian, kritere këto të njëjta për 5 vendet të rajonit”. Sipas PS, është koha që të nxirren mësime e përgjegjësi nga dështimi i qeverisë Berisha në përmbushjen e standardeve të kërkuara për heqjen e vizave. Bushati theksoi se bashkë më ndjesën për vonesën e shkaktuar, Berisha duhet të heqë dorë nga lufta me opozitën dhe të hapë kutitë e 28 Qershorit. “Bashkë me ndjesën për shqiptarët që i la të fundit në rajon, pasi ne i kishim të gjitha mundësitë të festonim këto ditë së bashku me popujt e tjerë, Berisha duhet të heqë dorë nga lufta me opozitën dhe të përqendrohet në luftën kundër krimit të organizuar e trafiqeve...bashkë me ndjesën për shqiptarët, Sali Berisha duhet të pranojë kërkesën legjitime të opozitës për hapjen e kutive të 28 qershorit, si e vetmja rrugë për fillimin e një dialogu politik dhe mos ta vonojë më këtë vend drejt integrimit Europian dhe lëvizjen pa viza në hapësirën Shengen”. (d.b/BalkanWeb)