Dhuna policore në oborrin e Katedrales, reagon Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë: Respektoni vendet e shenjta, distancohuni nga dhuna dhe dialogoni
Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë ka reaguar pas pamjeve të dhunës në oborrin e Katedrales “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, gjatë protestës së zhvilluar më 19 tetor.
Përmes një reagimi zyrtar, Kisha shpreh shqetësimin për ngjarjet e ndodhura në ambientet e katedrales dhe u bën thirrje palëve të respektojnë vendet e shenjta, të distancohen nga dhuna dhe të zgjedhin dialogun.
Reagimi vjen pasi, sipas pamjeve të publikuara, disa protestues, në përpjekje për t’u larguar nga efektivët e policisë, kaluan kangjellat dhe u futën në oborrin e katedrales.

Në pamje shihen efektivë të maskuar që i ndjekin dhe i godasin me shkopinj gome e shkelma.
Në deklaratën e saj, Kisha thekson se ambientet e shenjta nuk duhet të kthehen në hapësira konflikti dhe përplasjeje.
REAGIM
Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, pasi pa pamjet e ngjarjeve në oborrin e Katedrales “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, shpreh shqetësimin dhe bën thirrje të respektohen vendet e saj të shenjta. Ato asnjëherë nuk janë hapësira konflikti e përplasjeje dhe nuk i pranojnë ato.
Katedralja “Ngjallja e Krishtit” është vend i shenjtë lutjeje, vend ku kryhen shërbesat e shenjta dhe ku predikohet kultura e paqes.
Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë bën edhe njëherë thirrje për distancim nga dhuna dhe gjetjen e hapësirës së dialogut.
Tiranë, më 19 tetor 2026

