E Diel, 1 Nëntor 2026

Largimi i pajustifikuar nga puna, arsyeja kryesore që gazetarët i drejtohen gjykatës

TIRANE - Të dhënat e raportit të fundit të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë tregojnë se nuk është totalisht e pazakontë për punëdhënësit apo punëmarrësit në fushën e medias që të referojnë konfliktet e punës në gjykatë.

26 gazetarë nga 334 të pyetur në 12 qytete të Shqipërisë, kanë pohuar se kanë çuar në gjykatë çështje që kanë të bëjnë me mosmarrëveshje me punëdhënësin. Arsyeja kryesore që gazetarët i drejtohen gjykatës ka të bëjë me "largimin e pajustifikuar nga puna" dhe 20% e totalit të të pyeturve i janë drejtuar gjykatës për këtë motiv.

Ndërkohë "parregullsitë me pagesat për punën e bërë" përbëjnë një tjetër arsye se përse gazetarët i drejtohen gjykatës. Gjithashtu 10.4% e gazetarëve që i janë drejtuar gjykatës pohojnë se kanë shkuar drejt gjykatës për arsye të "shfrytëzimit nga ana e punëdhënësit apo konflikte të krijuara me të në lidhje me çështje politike".

Por, shumica e gazetarëve të pyetur nuk i janë drejtuar asnjëherë gjykatës për të zgjidhur një çështje, dhe sipas raportit të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, rreth tre të katërtat nuk e kanë bërë këtë pasi nuk kanë besim mjaftueshëm apo nuk kanë mjetet e mjaftueshme për ta çuar çështjen në gjykatë.

Disa nga arsyet se përse gazetarët nuk preferojnë ta çojnë çështjen në gjykatë janë: tarifat e larta gjyqësore, frika nga dëmtimi i reputacionit, frika nga kërcënimet e pronarit dhe shumica e gazetarëve janë shprehur se nuk kanë besim tek paanësia e gjyqësorit.

Raporti i Unionit të Gazetarëve jep të dhëna edhe në lidhje me ekzekutimin e vendimeve të gjykatës dhe nga 9 çështje të fituara 7 prej tyre janë ekzekutuar. 

(ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›