Ndërtimet pa leje në bregdet në mëshirë të fatit, nuk parashikohet legalizim
Ligji i ri nuk përcakton asnjë kriter për legalizimin. Urbanizimi mund të hedhë në tokë me mijëra objekte
Ervin Koçi
Ligji i ri për legalizimin e zonave informale në bregdet, por edhe ai për zonat turistike, duket se kanë lënë në mëshirë të fatit qindra ndërtime që janë ngritur gjatë këtyre 10 viteve të fundit në bregdet. Janë me qindra objekte të cilat janë ndërtuar në mënyrë informale (pa leje), të cilat rrezikojnë që të mos legalizohen e, për pasojë, edhe mund të shemben menjëherë sapo për zona të caktuara të përcaktohet një plan rregullues. Ndryshimet në ligjin “Për legalizimet” i kanë përfshirë në proces edhe ndërtimet pa leje në bregdet, edhe pse ende nuk është e qartë se në ç’masë dhe mbi ç’kritere do të kryhet legalizimi i tyre. Nisur nga kjo, problemi i ndërtimeve pa leje në bregdet është ende pa një zgjidhje të qartë. Sipas kryetarit të Agjencisë për Legalizimin, Urbanizimin dhe Integrimin e Zonave të Ndërtimeve Informale, ALUIZNI, Shaban Memia, me ndryshimet e bëra në amendimet e ligjit të legalizimeve, ndërtimet në bregdet nuk përjashtohen më nga legalizimi. Por që këto ndërtime të përfshihen në proces duhet që më parë të përcaktohet qartë se cilat janë zona turistike. Pasi të jenë përcaktuar ato që janë realisht zona turistike, do të bëhet më shumë qartësi lidhur me kriteret dhe rrugët që do të ndiqen për të vlerësuar se cilat ndërtime do të legalizohen dhe cilat jo.
Zonat turistike
Ligji “Për legalizimet”, por dhe ai “Për caktimin e zonave turistike”, përcakton që brenda tre muajsh nga miratimi, qeveria të miratojë një listë të zonave me përparësi për zhvillimin e turizmit. Përcaktimi i zonave me përparësi të zhvillimit turistik bazohet ende sot në një Vendim të Këshillit të Ministrave të vitit 1992. Problemi i këtij akti, sipas kreut të ALUIZNI-t, Memia, është se “zonat me përparësi të zhvillimit të turizmit përfshijnë sipërfaqe të mëdha dhe që nuk u përgjigjen zhvillimeve të mëvonshme të turizmit”. Si zona me përparësi të zhvillimit turistik përcaktohet gjithë territori i qyteteve të Vlorës, Durrësit, Sarandës apo qendrave të tjera të mëdha urbane. Por sipas kreut të ALUIZNI-t, “jo të gjitha ndërtimet në këto territore janë ngritur për qëllime turistike, madje ka zona të mëdha informale, që nuk kanë asnjë lidhje me turizmin, si p.sh. zona e ish-Kënetës në Durrës”. Ai thotë më tej se, për të zgjidhur problemin e turizmit me ndërtime informale duhet qartësuar në radhë të parë se cilat janë zonat turistike.
Caktimi i risorteve
Për përcaktimin e kufijve të rinj të zonave me përparësi të zhvillimit turistik (resorteve turistike), është krijuar një grup ndërministror, që duhet të përcaktojë vijat e verdha të zonave turistike brenda muajit tetor 2008. Ndryshimet në ligjin e legalizimeve sollën një kthesë të papritur përsa i takon problemit të ndërtimeve pa leje në bregdet. Fillimisht shumica vendosi që ndërtimet në bregdet të përjashtoheshin nga skema e legalizimeve, sepse zhvillimi urban pa kriter që është bërë do të komprometonte të ardhmen e turizmit shqiptar. Por ndryshimet e bëra në ligj reflektojnë një ndryshim të kursit, të paktën pjesërisht, sepse ende nuk dihet sa nga ndërtimet informale (pa leje) në bregdet do të legalizohen dhe si do të bëhet ky proces i ndërlikuar. Por derisa të arrihet kjo askush nga pronarët “de fakto”, por pa letra “de jure” të ndërtimeve dhe objekteve në bregdet ose në zonat e ashtuquajtura turistike, nuk di se si do t’i vejë halli pronës së tij. Në asnjë rast nuk është përcaktuar saktë se cili objekt do të legalizohet dhe se cili jo.
Por ajo çka ishte konkrete ishte fakti se edhe këtë sezon veror qeveria i lejoi të gjitha këto objekte të funksiononin si godina akomoduese apo shërbimesh për pushuesit, edhe pse pa përcaktuar se cilat nuk do të mbijetojnë vitin e ardhshëm.
27 Gusht 2008