E Diel, 1 Nëntor 2026

Largimi nga shtëpia, policia shpall kërkim për nënën e tre fëmijëve



Elbasani është qyteti problematik për largimet e grave nga shtëpia. Dje, uniformat blu të këtij qyteti kanë regjistruar denoncimin e radhës dhe kanë shpallur të zhdukur një 29-vjeçare. Kanë qenë të afërmit e saj që kanë deponuar në largimin prej dy ditësh nga shtëpia të Olgerta Z., nënë e tre fëmijëve. Madje, pasi kanë kërkuar tek të afërmit, familjarët e saj nuk kanë pasur më asnjë mundësi për ta gjetur dhe ndaj i janë drejtuar policisë. Bashkëshorti dhe të afërmit nuk dhanë asnjë arsye për largimin e saj, madje ata nuk e kanë pritur kurrë një gjë të tillë, duke hedhur dyshime se mund t’i ketë ndodhur diçka.
Rasti
Më 17 dhjetor të vitit të kaluar u denoncua një tjetër rast për zhdukje. Kësaj radhe kishte ikur nga banesa 32-vjeçarja. Uniformat blu e shpallën në kërkim. Sipas njoftimit të policisë, M. B., 32 vjeçe, lindur e banuese në fshatin Fushë-Buall, Elbasan, ishte është larguar nga shtëpia prej ditësh, ndërkohë që bashkëshorti i saj denoncoi për zhdukjen e saj në polici. Uniformat blu shpërndanë informacione në të gjithë vendin me qëllim gjetjen e saj. Ky ishte rasti i katërt brenda pak ditësh që në rrethin e Elbasanit zhduken njerëz.
Gjetjet
Më 12 dhjetor u njoftua se ishin gjetur dy femrat e denoncuara si të zhdukura. Pas disa ditë kërkimesh, policia e Elbasanit arriti të gjejë dy femrat e denoncuara, të zhdukura nga familjarët e tyre. 25-vjeçare Sh. K., nënë e dy fëmijëve, u kap nga efektivat e Komisariatit të Sarandës dhe u soll më pas në Elbasan, ku është marrë në pyetje për të sqaruar rrethanat në të cilat është larguar nga shtëpia. Nuk dihet nëse gruaja donte të largohej në drejtim të Greqisë dhe as motivet që e kanë shtyrë për një veprim të tillë, por ajo që dihet saktësisht (së paku sipas policisë) është se 25-vjeçarja ka ikur me dëshirën e saj pas një konflikti që dyshohet se ka pasur me bashkëshortin ditën e Kurban Bajramit. “Gruaja ka thënë në polici se është larguar nga familja me dëshirën e saj, por ende nuk ka dhënë detaje për shkaqet”, - thonë të njëjtat burime. Ndërsa një 20-vjeçare e shpallur e humbur u gjet në Elbasan. Vajza ishte larguar më 8 dhjetor nga banesa e saj, pa lënë asnjë informacion për vendndodhjen dhe kishte ndërprerë çdo kontakt me familjarët. Sipas burimeve zyrtare të policisë lokale, vajza e zhdukur, O. T., lindur e banuese në lagjen “Dyli Haxhire”, u gjet e fshehur dhe nuk ka dhënë një arsye pse e kishte marrë një vendim të tillë. Brenda pak ditësh u denoncuan në Komisariatin e Elbasanit tre raste të zhdukjeve të personave.

E keqtrajtonte bashkëshorti, policia e merr në mbrojtje

Tiranë – Një grua e re është vënë nga dje në mbrojtje policore, pasi bashkëshorti i saj nuk linte rast pa shfrytëzuar për ta keqtrajtuar fizikisht dhe psikologjikisht. Burime nga radhët e uniformave blu thanë dje për gazetën se në zbatim të ligjit “Për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare” është plotësuar kërkesë-padia për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes për 25-vjeçaren M. D., banuese në Tiranë. Policia tha zyrtarisht se marrja nën mbrojtje e gruas së re, erdhi pasi “bashkëshorti F. D., 26 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për plagosje të lehtë, ka ushtruar ndaj saj dhunë fizike dhe psikologjike”. Materialet i kaluan Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes, ndërsa paralelisht, 25-vjeçares iu mor kallëzim penal për veprat penale të “dëmtimeve të tjera me dashje” dhe “kanosjes”, ku dosja iu dërgua Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

11 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›