Grabitet argjendaria, autorët largohen, 7 milionë lekë dëmi
Cërrik - Një argjendari, me sende me vlerë prej miliona lekësh, është grabitur dy ditë më parë në qytetin e vogël të Cërrikut, në Qarkun e Elbasanit. Dy persona dyshohen se janë autorë të grabitjes së argjendarisë. Pas denoncimit nga pronarët, policia konstatoi se dëmi llogaritet në 7 milionë lekë. Grabitja është kryer gjatë orëve të natës dhe policia e Elbasanit është vënë në dijeni vetëm dje në mëngjes. Gurie Pëllumbi, 60 vjeçe, pronare e argjendarisë, si dhe Serit Isufi 61 vjeç, kishin vajtur në mëngjes si zakonisht të hapnin dyqanet, kur kanë vënë re grabitjen. Hajdutët kanë hyrë në fillim në dyqanin ushqimor ngjitur me argjendarinë. Pasi kanë grabitur mallra ushqimorë nga dyqani kanë prishur murin ndarës që e lidhte me argjendarinë. Grabitësit kanë rrëmbyer 2.9 kg bizhuteri floriri dhe rreth 1.5 milionë lekë, 6000 dollarë kanadezë dhe rreth 2000 euro. Në vendin e ngjarjes, policia ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një levë hekuri, çantë brezi dhe doreza pune që dyshohet se i përkasin autorëve. Gjurmët e gishtave që janë marrë në vendin e ngjarjes pritet të zbulojnë autorët e grabitjes.
Aksidenti me vdekje te Teknologjikja, arrestohet drejtuesi i mjetit
Tiranë – Policia arreston të dyshuarit e aksidentit të dy ditëve më parë në kryeqytet, të cilët akuzohen se u larguan nga vendi i tragjedisë rrugore. Burime zyrtare nga Seksioni i Hetimit të Aksidenteve Rrugore thanë dje për gazetën “Albania” se arrestuan Juljan Hamollarin 23 vjeç dhe Fluturim Jakllarin, 40 vjeç, që të dy banues në Tiranë. Julian Hamollari akuzohet se dy ditë më parë, rreth orës 22:10, te Ura Teknologjike, në gjendje të dehur, duke drejtuar mjetin e markës Wolkswagen”, me targa TR 1540 K, ka aksidentuar me vdekje 70-vjeçarin Hamdi Xhabafti, banues në Tiranë. Ndërkohë 40-vjeçari Fluturim Jakllari akuzohet se nuk ka bërë kallëzim për krimin e kryer dhe ka kundërshtuar punonjësit e policisë. Materialet në ngarkim të këtyre dy të arrestuarve i kaluan Prokurorisë së Rrethit të Tiranës.
Gjykata e Durrësit publikon akuzat e antimafias italiane për Elton Bardhin
Durrës – Elton Bardhi, i cili u arrestua dy ditë më parë në Durrës, ishte në kërkim nga Drejtësia Shqiptare dhe ajo italiane, në sajë të një konvertimi dënimi që ishte dhënë për të. Policia e Durrësit dhe Gjykata e Rrethit atje konfirmuan për gazetën se prangosja e 36-vjeçarit, - lindur dhe banues në Durrës, në Lagjen Nr. 16, - u bë për llogari të antimafias italiane. “Ky shtetas është shpallur në kërkim nga Drejtoria e Policisë Durrës me Shkresë Nr. 820, datë 09.02.09, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës, me Vendimin Nr. 82, datë 09.02.09, ka njohur vendimin penal të gjykatës së shtetit italian, e cila e ka dënuar atë me 14 vjet e gjashtë muaj burg”, - detajoi policia. Për Elton Bardhin janë provuar akuzat për veprat penale “Trafikim të lëndëve narkotike” dhe “Krijim i grupit të strukturuar kriminal”.
11 Shkurt 2009