Apeli i AKDIE: Mbroni vlerat e artistëve shqiptarë

Tiranë, 31 janar 20:56 NOA - Me nënshkrimin e MSA, Qeveria shqiptare ka marrë përsipër plotësimin e disa kushteve të vendosura nga Bashkimi Evropian, për të qenë anëtare me të drejta të plota në familjen Evropiane. Shqipëria është anëtare e Konventave Ndërkombëtare për mbrojtjen e Pronësisë Intelektuale.
Disa prej tyre, janë Konventa e Bernës, Romës etj. Gjithashtu parlamenti Shqiptar ka miratuar Ligjin nr. 9380, dt.28.04.2005 “Për të Drejtat e Autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me të”.
Në funksion të respektimit të Pronësisë Intelektuale dhe të drejtave të lidhura me të është krijuar edhe agjencia AKDIE, krahas dy agjencive të tjera që operojnë në të njëjtën fushë; ALBAUTOR, i cili mbron të drejtat e autorëve të veprave dhe FMAA për mbrojtjen e të drejtave të regjisorëve dhe autoreve skenarist për degën e kinematografisë.
Pas shumë përpjekjeve të një grupi artistësh, tashmë themeluesit e agjencisë AKDIE si:
Robert Ndrenika, Rexhep Celiku, Tefta Radi, Anita Tartari, Alqi Kareco, Vasillaq Vangjeli, Liljana Kondakçi dhe Arben Duro i cili është drejtori ekzekutiv i agjencisë, u hartuan dokumentet e nevojshme për krijimin e agjencisë.
Pas Vendimit të Gjykatës Nr. 2224 dt 04.04.2008 dhe licencimit nga Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Ylli Pango u botua në Fletoren Zyrtare Nr. 119 dt. 30.07.2008 krijimi i këtij institucioni të ri.
Në një prononcim për agjencinë e lajmeve NOA, AKDIE tha sot se ajo mbron të drejtat e artistëve interpretues dhe ekzekutues.
AKDIE, është e vetmja agjenci me këtë objekt në Republikën e Shqipërisë, pasi edhe vetë ligji ndalon krijimin e më shumë se një agjencie për secilën fushë.
Arben Duro, pohoi se Agjencia e administrimit kolektiv të të drejtave të artistëve interpretues/ ekzekutues është një organizatë jofitimprurëse, e krijuar me vullnetin e lirë të anëtarëve të saj, pa asnjë qëllim fitimi, veprimtaria e së cilës është administrimi i të drejtave të artistëve interpretues dhe /ose ekzekutues në veprat letrare, artistike dhe shkencore.
Artistët që bëjnë pjesë në këtë agjenci, sipas nenit 52 të ligjit për të drejtat e autorit janë: aktorët, këngëtarët, muzikantët, valltarët, drejtues orkestre, drejtues kori, prezantuesit, recituesit, spikerët dhe personat që luajnë një rol mbështetës por dhe të rëndësishëm.
Duro pohon se qëllimi i veprimtarisë së agjencisë AKDIE është mbledhja e të ardhurave nga përdoruesit audiovizualë, që përdorin të drejtat e artistëve interpretues dhe/ose ekzekutues dhe shpërndarjen e këtyre të ardhurave artistëve interpretues dhe/ose ekzekutues, të cilët ia kanë kaluar këto të drejta për administrim agjencisë AKDIE.
Agjencia, prej disa muajsh ka operuar në terren. Kreu i saj Duro pohon se problematika të shumta janë hasur prej saj, pasi ky është një koncept relativisht i ri, prezantuar shoqërisë tonë dhe mungesa e informacionit, pirateria e kultivuar, por edhe një mos dashje e hapur deri tendencioze për zbatimin e tij çojnë në vështirësi.
Gjithashtu është e rëndësishme të theksohet se mbështetja e strukturave përkatëse të shtetit, të cilat kanë detyrimin të bashkëveprojnë për respektimin e të drejtës së autorit do të jetë gati vendimtare në funksionimin me eficencë ose jo të kësaj agjencie dhe e agjencive të tjera të këtij lloji.
Në përfundim Duro thotë se i bën apel të gjithë artistëve që e gjejnë veten në këtë agjenci, të anëtarësohen duke mundësuar kështu mbrojtjen e veprave të tyre nga përdoruesit pa titull apo autorizim si dhe të gjitha institucioneve, mediave, grupeve të interesit, të cilët nëse do të kenë vullnet mund të luajnë një rol jo pak të rëndësishëm në funksionimin dhe zbatimin e ligjit për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me të.
e.l/NOA