E Shtunë, 31 Tetor 2026

Largohen të gjithë yjet është Botërori i talenteve

AFRIKE E JUGUT - Largimi i Argjentinës i ka dhënë fund epokës së yjeve në kampionatin botëror të Afrikës së Jugut. Lionel Mesi ishte i fundit që i dha lamtumirën Kupës së Botës, ndërsa një gjë të tillë e patën bërë më parë edhe Riberi, Runi, Kristiano Ronaldo e Kaka. Tashmë duket se edhe Botërori nuk është më skena e yjeve të mëdhenj, por e të rinjve të talentuar. Ozil, Myler, Kedira, holandezi Van der Viel, uruguajani Suarez apo ganezi Kevin-Prins Boateng janë ata që kanë errësuar emrat më të mëdhenj të futbollit botëror. Të gjithë prisnin magjitë e tyre, por tani duhet të mësohen me shpërthimet e të rinjve. Një fakt që konfirmon se Botërori në Afrikën e Jugut nuk do të kujtohet si ai i futbollistëve të mëdhenj. Te Gjermania, që mposhti 4-1 Anglinë dhe 4-0 Argjentinën, duket se nuk ka më asnjë nostalgji për Balak. Kanë menduar Tomas Myler e Mesut Ozil për t’i bërë tifozët të harrojnë kapitenin, njëri 21 vjeç dhe tjetri 20. Një tjetër i dalluar te kjo Gjermani është Sami Kedira, mesfushor 23 vjeç i Shtutgartit. Në Holandën e udhëhequr nga Shnajder, që shihet si një nga favoritët për fitimin e Topit të Artë, një nga më të dalluarit është Van der Viel, anësori i djathtë i Ajaksit që kërkohet nga Zhoze Murinjo si një alternativë për Maikon. Tek Uruguaj, ka një futbollist që i ka bërë të gjithë të çmenden, Luis Suarez, sulmues 23 vjeçar. Ai shënoi një dopietë ndaj Koresë së Jugut, ndërsa në takimin me Ganën u kthye në një portier, duke larguar një gol të sigurt. Por, tek afrikanët është një tjetër lojtar që ka shkëlqyer. Ai është Kevin Prins Boateng, një forcë e natyrës dhe një mesfushor taktikisht perfekt.

(A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›