E Shtunë, 31 Tetor 2026

Largohet Ari Han, "divorci" i kushton FSHF-së 24 mijë euro

Ari Han largohet nga drejtimi i Kombëtares shqiptare. Pas dy humbjeve në ndeshjet eliminatore të Botërorit 2010 me Hungarinë dhe Danimarkën, trajneri holandez u bind ta mbyllë aventurën e tij në stolin kuqezi. Lajmi është konfirmuar zyrtarisht nga Federata Shqiptare e Futbollit. Ai ikën 15 muaj pasi mori "timonin" e skuadrës, një bashkëpunim që solli më shumë zhgënjime sesa kënaqësi. Barazimet pa gola në ndeshjet e para me Suedinë dhe Portugalinë ishin vetëm fasada e një skuadre që në fushën e lojës prodhonte shumë pak, ose asgjë. Më 3 janar 2008, kur u prezantua, Han premtoi se do ta shndërronte Shqipërinë në një "Holandë të vogël". Në fushë u pa e kundërta: me vendosjen e dobët taktike, zëvendësimet e pakuptimta dhe mungesën e guximit, kuotat e Ari Han filluan të binin me shpejtësi marramendëse. Deri në shkurt të këtij viti (përpara barazimit 0-0 me modestët e Maltës), "tulipani" predikonte edhe shanset për t‘u kualifikuar. "Ëndrrat nuk janë asnjëherë të dëmshme", ishin disa prej fjalëve të përdorura. Megjithatë, ëndërrimi me sy hapur rezultoi i tillë, pasi Kombëtarja nuk arriti të merrte asnjë pikë me ata që ishin rivalët e saj direkt, Hungarinë. Në fund, pas disa ditësh diskutime u arrit edhe marrëveshja: Han largohet me konsensus nga Shqipëria. "FSHF-ja njofton se prej ditës së sotme (djeshme), 15 prill 2009, trajneri holandez Ari Han nuk do të jetë më në krye të stolit të Kombëtares. Vendimi është marrë në bazë të një akordi dypalësh, në mirëkuptim mes federatës dhe teknikut. Ky vendim ka ardhur si pasojë e paraqitjeve të dobëta të përfaqësueses në ndeshjet e fundit dhe largimit nga objektivat për një vend më të mirë në grupin eliminator të Botërorit 2010", citohej në deklaratën për shtyp të publikuar nga "qeveria" e futbollit në vend. Han e drejtoi Kombëtaren në dhjetë ndeshje, 7 eliminatore dhe 3 miqësore. Në takimet zyrtare, ato të Kupës së Botës, ai regjistroi vetëm një fitore, tri barazime dhe tri humbje.

Rreth largimit të Ari Han foli edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka. Ai konfirmoi se trajnerit do t‘i paguhen afro 24 mijë euro (dy rroga mujore), ndërsa detyra e trajnerit të ri do të jetë përgatitja e skuadrës për eliminatoret e Evropianit 2012. "Sot (dje) kemi ndërprerë marrëdhëniet me Ari Han, pas rezultateve të dobëta. Trajneri kishte një pjesë të përgjegjësisë, madje ai e kuptoi edhe vetë se nuk ishte në gjendje t‘i jepte më shumë skuadrës. Do t‘i paguajmë edhe 2 rrogat që i kanë mbetur. Kjo është marrëveshja, ndërsa FSHF-ja nuk do të ketë penalizime. Trajneri i ri? Kemi shumë oferta, të cilat po i studiojmë. Ende nuk është vendosur nëse tekniku do të jetë shqiptar apo i huaj, por detyra e tij është përgatitja e skuadrës për eliminatoret e Evropianit", tha Duka.

Presidenti i Republikës

Topi, i zhgënjyer nga Kombëtarja e Han

Me paraqitjen e dobët në ndeshjet e fundit eliminatore të Botërorit 2010, Kombëtarja i ka zhgënjyer të gjithë shqiptarët. Të njëjtën ndjenjë ka përjetuar edhe kryetifozi i saj, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i cili e ndoqi direkt nga shkallët e stadiumit "Parken" në Kopenhagen, në takimin ndaj Danimarkës. I njohur si një dashamirës i futbollit dhe si një nga tifozët "e thekur" të skuadrës së Tiranës, por edhe të përfaqësueses, ai do ta vuante atë humbje të turpshme 3-0 përkrah Kryeministrit danez, Anders Fogh Rasmusen (njeriun që dy ditë më pas do të emërohej edhe sekretari i ri i NATO-s). "Mendoj, pavarësisht nga rezultati, se të ndjekësh përfaqësuesen është shumë bukur dhe në rastin tim ndoshta do të ishte edhe një detyrim, ka pohuar Presidenti Topi. E kam ndjekur këtu, kam pasur rast ta ndjek edhe jashtë Shqipërisë". Ndërkohë që nuk ka mundur të kalojë pa e shmangur formën jo të mirë që po shfaq Kombëtarja. "Nuk më vjen mirë për formën aktuale të ekipit kombëtar, thekson numri një i shtetit. Pavarësisht nga njohuritë e shumta që kam rreth futbollit, nuk dëshiroj të interferoj në çështje që do t‘i konsideroja ekskluzivitete të institucioneve zyrtare të sportit. Nisur edhe nga ajo simpati e madhe që unë kam pasur për Ari Hanin si lojtar i Ajaksit dhe i përfaqësues holandeze dikur, edhe si një personalitet i botës së sportit, e kam të vështirë të jap një mendim për verdiktin që do të merret për të. Kështu që le t‘ua lëmë strukturave të botës së sportit vendimin".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›