Monumentet e kulturës hapin dyert
Që nga koha e krijimit në vitin 1983 e deri më sot, dita ndërkombëtare e monumenteve të kulturës konceptohet si promovim i trashëgimisë, por edhe sensibilizim i vlerave të saj. Herë pas here edhe institucionet tona janë munduar t‘i bashkohen kësaj tradite. Ajo që ka ndodhur më së shumti, është hapja e dyerve të muzeve dhe parqeve arkeologjike për të gjithë. E njëjta gjë do të ndodhë edhe të shtunën. Me të vetmin ndryshim, se tashmë vizitat falas në raste të tilla do të jenë të përligjura me status ligjor. "Muzetë dhe parqet arkeologjike do të mund të vizitohen falas më 18 prill, ndërkohë që edhe ne i jemi bashkuar një lëvizjeje ndërkombëtare, e cila parashikon vizita falas në monumente të dielën e fundit të çdo muaji, përjashtuar qershorin, korrikun dhe gushtin. "Zgjodhëm të dielën si ditën më të përshtatshme për familjet dhe të rinjtë shqiptarë që të vizitojnë institucionet e trashëgimisë, lehtësisht pa asnjë lloj pagese në funksion të përmirësimit jo vetëm të imazhit të institucioneve, por edhe të kalimit të njohurive nga institucionet te këta njerëz. Kjo do të praktikohet edhe për të huajt që ndodhen rastësisht në këto ditë", shprehet Olsi Lafe, drejtor i zyrës së trashëgimisë kulturore në Ministrinë e Kulturës. Sipas tij, kjo praktikë do të ndiqet edhe në ditët e tjera kushtuar kulturës, si 18 maji, dita ndërkombëtare e muzeve, 21 maji, dita e diversitetit kulturor sipas konventës së UNESCO-s me të njëjtin titull që ka firmosur Shqipëria. Por, dita ndërkombëtare e monumenteve të kulturës duhet të shërbejë edhe si një reflektim për gjendjen në të cilën ndodhen monumentet tona të kulturës, mundësitë reale për investime dhe zbatime projektesh. Specialistët vazhdimisht kanë pranuar se monumente që kanosen nga shkatërrimi ka vazhdimisht. Trashëgimi i problemeve vit pas viti, indiferenca, që herë pas here ka karakterizuar institucione të trashëgimisë, por edhe kufizimet e fondeve, bëjnë që problemet edhe këtë vit të jenë të shumta. "Në fushën e trashëgimisë ka gjithmonë shumë për të bërë. Kjo ndodh edhe në vendet më të përparuara se ne. Por, e rëndësishme është që po punohet me projekte të mëdha për shpëtimin dhe rehabilitimin e monumenteve më të rrezikuara", shprehet Lafe. Prioritetet e këtij viti në fushën e trashëgimisë i ka marrë Berati. Si një qytet i sapopranuar në UNESCO, i cili duhet të përmbushë edhe disa parametra të ruajtjes së qendrës historike, vëmendja dhe investimet janë përqendruar aty. Kryesisht është synuar në projekte që përfshijnë Kalanë, Mangalemin dhe Goricën. E dyta në listë vjen Gjirokastra. "Gjirokastra renditet e dyta në pikëpamjen e investimeve nga buxheti i shtetit, por të mos harrojmë që është në përfundim edhe projekti i madh me fondet e qeverisë shqiptare të tenderuara nga UNESCO, të cilat po kryhen në Gjirokastër", shprehet Lafe, sipas të cilit ndërhyrjet nuk përjashtojnë Korçën, Vlorën, Shkodrën, Dibrën, Tiranën, Elbasanin e Durrësin. Krahasuar me një vit më parë, Lafe shprehet se priten rezultate më të mira bazuar në projektet e mëdha, në të cilat përfshihen restaurime tërësore, lagje, rrugica me të gjitha fasadat e tyre. Kjo ndodh veçanërisht në ato që quhen itinerare turistike.