Vllaznia-Tirana vendoset në kthim
Grintë, emocione, raste për shënim, shtylla e traversa në "Loro Boriçi", por ai që mungon është vetëm goli. Kështu, Vllaznia e Tirana e kanë mbyllur në barazim 0-0 ndeshjen e parë, duke i kthyer sytë te 90 minutëshi i dytë në kthim, ku edhe do të përcaktohet se kush do të jetë finalisti i Kupës. Gjithsesi, dje në mbrëmje në Shkodër është luajtur një ndeshje e bukur, ku të dyja skuadrat kanë rikonfirmuar edhe një herë rivalitetin që i shoqëron në kampionat. Vllaznia ka qenë më agresive, e ka kërkuar më shumë golin, ka tronditur edhe traversën, por në asnjë moment nuk kanë mundur të mposhtin portierin Nallbani. Bardheblutë kanë bërë lojërat e tyre, pa harruar sulmin. Por i ka munguar fati në një gjuajtje që është ndaluar nga shtylla. Gjithsesi, kjo paraqitje garanton një ndeshje kthimi edhe më të ndezur. "Për vetë specifiken që kanë ndeshjet e Kupës, mund të them se ky ishte një rezultat i mirë për ne", ka nënvizuar trajneri i Tiranës, Agustin Kola. "Kualifikimi është i hapur, edhe pse duke luajtur në fushën tonë, mendoj se ne kemi 90% të shanseve për të shkuar në finale". Flamurtari e ka fituar me rezultatin 1-0 ndeshjen e parë ndaj Shkumbinit, duke bërë një hap drejt finales, edhe pse ndeshja e kthimit në Peqin mendohet se do të jetë vendimtarja për kualifikimin. Vlonjati Begaj ka shënuar golin e vetëm të këtij takimi në minutën e 25-të. Flamurtari ka qenë më kërkues në këtë ndeshje, ndikuar edhe nga fakti se luante në shtëpinë e tij, ndërkohë që peqinasit kanë treguar kujdes të veçantë në prapavijë dhe e kanë pasur të vështirë të shënojnë golin e barazimit, që do t‘i avantazhonte për ndeshjen e kthimit për të pësuar sa më pak. Në kthim do të jetë një provë "zjarri" për vlonjatët, pasi në Peqin vendasit janë "vrastarë" edhe ndaj "të mëdhenjve". Për të mësuar finalistët do të na duhet të presim deri më 29 prill, kur edhe do të luhen ndeshjet e kthimit.