E Diel, 1 Nëntor 2026

Nis "Maratona Rinore 2009"

Të rinj nga treva të ndryshme shqiptare janë mbledhur në Durrës për të konkurruar artistikisht mes tyre. Në teatrin "Aleksandër Moisiu" të qytetit bregdetar është çelur edicioni i pestë i Festivalit Mbarëkombëtar të të Rinjve "Maratona Rinore 2009". Trupa rinore të ardhura nga pothuajse gjithë vendi dhe rajoni kanë nisur garën midis tyre në këngë, valle popullore, kërcim modern, aerobi, pantomimë dhe gjini të tjera. E konsideruar si një nga ngjarjet më të rëndësishme të rinisë në vendin tonë dhe në rajon, "Maratona" e nisur më 14 prill do të vazhdojë pasditet e saj për 4 ditët në vazhdim, për të ulur siparin ditën e premte. Sipas organizatorëve, të rinjtë pjesëmarrës gjatë katër mbrëmjeve të aktivitetit do të jenë nga Durrësi, Tirana, Elbasani, Shkodra, Gramshi, Lushnja, Kruja, nga Kërçova e Maqedonisë, Peja e Kosovës, si dhe nga Ulqini e Budva e Malit të Zi. Janë rreth 60 numra artistikë, si kërcime moderne, interpretim këngësh, etyde, skeçe, monologë dhe pantomima të përzgjedhura, që do të konkurrojnë mes tyre në tre netët e para të festivalit, ndërkohë që juria do të përzgjedhë prezantimet më të mira, të cilat do të interpretohen rishtas në natën finale të "Maratonës Rinore". Në këtë edicion është parashikuar të ketë një natë speciale që do t‘u kushtohet vetëm valleve folklorike nga treva të ndryshme të Shqipërisë, Kosovës dhe zonave shqiptare në rajon.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›