Largohet Hodgson, arrin Dalglish

Roy Hodgson nuk është më trajner i Liverpool. Lajmin e ka bërë të ditur klubi nga Premierliga përmes ueb faqes së vet zyrtare.
Me këtë rast, njoftojnë Reds, është shkëputur kontrata me marrëveshje të dyanshme.
Hodgson kishte arritur në bankinën e Reds në fillim të sezonit, duke e zëvendësuar spanjollin Rafael Benitez.
Mirëpo, rezultatet e dobëta bënë që ai të largohet, ndërsa pozitën e ish trajnerit të Fulham do ta marrë deri në qershor Kenny Dalglish, ish legjendë e Liverpoolit.
“Jemi mirënjohës për sakrificën që bëri Roy për këta gjashtë muaj, por të dyja palët kanë rënë dakord që ai të largohet për të mirën e klubit. I urojmë çdo të mirë në të ardhmen”, ka thënë njëri prej aksionistëve të Reds, John Henry. Ndërkohë, për ueb faqen e klubit ka folur edhe vetë Hodgson.
“Ishte një nder dhe një privilegj për mua ta udhëhiqja Liverpoolin. Muajt e fundit ishin ndër më të vështirët në karrierën time. Jam mjaft i trishtuar që nuk kam mundur ta shfaq atë që di për këtë skuadër. Nuk kisha kohë të sillja lojtarë të rinj dhe nuk isha i aftë të kontribuoja në procesin e rikonstruktimit të Liverpool”, tha Hodgson.
Gjatë verës në Liverpool, i cili gjendet në pozitën e 12-të në Premierligë, mund të rikthehet Rafael Benitez, i cili nuk është harruar ende nga tifozët e klubit.