E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skënderbeu “bluan” turqit e Afyonsporit



Skënderbeu i dha një leksion të hidhur skuadrës turke Afyonspor, e që kryeson kategorinë e tretë të Turqisë. Një goleadë 5-0 e djemve të Shkëlqim Muçës përpara se korçarët të të testojnë veten në një miqësore luksi kundër francezëve të Paris Sën Zhermenit, skuadër më të cilën më parë kanë luajtur Edvin Murati dhe Lorik Cana. Golat për Skënderbeu mbajnë firmat e Ivan Joliçit (2), blerjes së re dimërore, Sokol Cikalleshit (2) dhe Bratiçit. Skënderbeu ndodhet në Antalia të Turqisë, aty dhe ku po zhvillon fazën përgatitore. Në Belek ndodhen edhe Flamurtari, Tirana dhe Besa. Dorian Bylykbashi firmosi me Elbasanin një kontratë 5-mujore në shumën prej 35 mijë eurosh. Ish-lojtari i Partizanit dhe Krivbasit në Ukrainë është lojtari i shtatë i ardhur gjatë merkatos dimërore te 2 herë kampionët e Shqipërisë, por që e mbyllën pjesën e parë të sezonit aktual në vendin e fundit. Elbasani mori në huazim nga Vllaznia lojtarët Albert Kaçi, Ari Djepaxhia, Ansi Nika, si dhe Mirosllav Rikanoviçin. Së fundi me verdheblutë janë bashkuar edhe dy futbollistë kosovarë, Benis Krasniqi dhe Adis Salihi, të cilët vijnë nga aktivizimet në kampionatin islandez dhe malazes. Krasniqi ka luajtur për Reyner në kategorinë e dytë islandeze, ndërsa Salihi me Deçiçin në Malin e Zi.

Feliks Magat, 20 mijë euro për një pikë

333 mijë euro në muaj, 20 mijë euro për çdo pikë të fituar në kampionatin gjerman. Kjo është kontrata që ka trajneri i Shalke 04, Feliks Magat, më i paguari në Bundesligën 1. Shifrat e pagave të 18 trajnerëve të Bundesligës 1 janë publikuar nga “Sport Bild”. Feliks Magat fiton katër milionë euro në vit si pagesë bazë, por këtyre mund t’u shtohen edhe dy milionë të tjerë në rast të fitimit të trofeve, me maksimumin që ai fiton gjashtë milionë euro në vit. Kontrata e tij me “qymyrxhinjtë” skadon në vitin 2013. Luis van Gal i Bajernit të Munihut fiton pesë milionë euro, plus 1 milion euro për fitimin e Ligës së Kampioneve, 750 mijë euro për fitimin e kampionatit, 500 mijë euro për Kupën e Gjermanisë. Van Gal fiton 208 mijë euro në muaj. Kontrata e tij me bavarezët skadon në vitin 2012. Jurgen Klop, trajneri i Borusias së Dortmundit, skuadra që kryeson kampionatin gjerman, fiton 175 mijë euro në muaj. Stiv Meklaren i Volfsburgut fiton 10 mijë euro për çdo pikë. Diter Heking i Nurembergut fiton 6 mijë euro për çdo pikë. Marko Kurc i Kaizerlauternit fiton në vit 625 mijë euro. 100 mijë euro më shumë për qëndrimin në Bundesligë.

TRE MË TË PAGUARIT
Feliks Magat Shalke 04 330 000 euro në muaj
Luis van Gal Bajern 208 000 euro në muaj
Jurgen Klop B.Dortumund 175 000 euro në muaj

Barça, 86 mijë shikues për ndeshje

Barcelona është skuadra që mbledh më shumë tifozë në stadiumin e saj. Kampionia e Spanjës ka një mesatare prej 86 mijë tifozësh për ndeshje në impiantin prej 99 mijë vendesh të “Kamp Nout”, njëherësh edhe më i madhi në Europë. Në vend të dytë qëndron kryesuesja e kampionatit gjerman, Borusia e Dortmundit, me 77 mijë e 385 shikues për ndeshje. Mançester Junaitid ndiqet mesatarisht nga 75.090 shikues, Reali i Madridit nga 69.835 dhe Bajerni i Munihut nga 69 mijë (ose 100 për qind të kapaciteti të stadiumit). Rezultatet i ka nxjerrë faqja Stadionëelt.de.

Morati: “Me shpirt e punë, kështu fiton Interi”

Presidenti i Interit, Masimo Morati, u shpreh i kënaqur pas fitores së parë të skuadrës me Leonardon në bankinë, një fitore 3-1 ndaj Napolit. “Shkoi mirë, shumë mirë, por të mos japim një votë. Një ndeshje serioze dhe e interpretuar shumë mirë. Më dha shumë kënaqësi sesi u sollën lojtarët me Leonardon. Me shpirt e punë, kështu fiton Interi”. Kapiteni i Interit, Havier Zaneti, i ripërsëriti mirëseardhjen e tij Leonardos në bankinën zikaltër, duke çmuar fitoren e parë nën drejtimin e brazilianit. “E njoh mirë Leonardon, prej dhjetë vjetësh. Është një person inteligjent. Jam i kënaqur dhe i lumtur për fitoren e parë të merituar. Tani duhet të mendojmë për ndeshjen me Katanian. Me Leonardon mund të bëjmë gjëra të mëdha”. Fiorentina zyrtarizoi, përmes faqes së saj, përjashtimin e Adrian Mutusë nga seancat stërvitore pas largimit të këtij të fundit nga dhomat e zhveshjes të mërkurën e kaluar në përfundim të një bisede në lidhje më të ardhmen e tij midis drejtorit sportiv Korvino dhe menaxherit Bekali. Mutu u prezantua në stërvitje, por sulmuesi rumun u la jashtë grupit. Fiorentina e motivoi vendimin duke folur për dëmtim sportiv dhe ekonomik të klubit nga ana e lojtarit.“Kasano dhe Baloteli qëndrojnë dy pika referimi në Kombëtare”. Ky ishte pohomi i presidentit të Federatës Italiane të Futbollit, Xhankarlo Abete. “Kasano ka akoma potencial të madh dhe për të vlen një diskutim i përgjithshëm. Kush gabon paguan, por kur bëhet fjalë për Kasanon ai ka të drejtën t’i japë kënaqësi futbollit italian”, - argumentoi Abete. “Viti 2011 do të jetë viti i rinisjes pas zhgënjimit në Botërorin e Afrikës së Jugut. Kampionati aktual është interesant, me shumë skuadra që luftojnë për titullin dhe Ligën e Kampioneve”.

SHKURT
Juventusi ble sulmuesin Luka Toni

Luka Toni është një lojtar i Juventusit. Shoqëria bardhezi arriti akordin me Xhenoan për ta blerë përfundimisht sulmuesin. 33-vjeçari Toni kaloi me sukses vizitat mjekësore dhe tashmë është në dispozicion të trajnerit Del Neri.

Felipe Melo pezullohet tri ndeshje

Tri ndeshje skualifikim për mesfushorin e Juventusit, Felipe Melo. Ky ishte vendimi i gjykatës sportive, që e ndëshkoi brazilianin për atë shkelm të dukshëm ndaj kundërshtarit tq tij nga Parma. Melo u përjashtuar pas vetëm 17 minutash.

Storari në dyshim kundër Napolit

Portieri i Juventusit, Marko Storari, vuan nga një dëmtim muskulor dhe është në dyshim për sfidën e së dielës kundër Napolit në Serinë A. Delneri mund të hedhë në fushë Maningerin dhe jo Bufonin, të parashikuar të luajë në Kupën e Italisë.

Përfundon sezoni për Kualjarelën

Sezon i përfunduar për Fabio Kualjarelën. Rezonanca magnetike tregoi një dëmtim të madh të sulmuesit të Juventusit gjatë ndeshjes kundër Parmës. Kualjerela duhet të qëndrojë 4-6 muaj jashtë fushës, çka e detyroi klubin të blinte Luka Tonin.

Bekham debuton kundër Mançesterit

Dejvid Bekham do të veshë fanellën e Totenhemit. Tratativat prej më shumë se një javë midis skuadrës së Heri Redknapit dhe Los Anxheles Galaksi flasin për një huazim dymujor të mesfushorit anglez. Në fund të javës së 15-16 janari, me fazën e dytë të Premier Ligës, Totenhemi do të përballet me Mançester Junaitid dhe për Bekhamin – shpenzoi 10 vite në “Old Traford” – mund të jetë një debutim i veçantë dhe i mbushur me emocione.

Ispuiç Toun shkarkon Roi Kinin

Roj Kin nuk është më trajneri i Ispuiç Toun. Ish-mesfushori i Mançester Junaitid u shkarkua në vigjilje të Kupës së Anglisë kundër Çelsit. I mbërritur në “Portman Road” në maj të vitit 2009, Kin e pagoi rëndë rendimentin e skuadrës së tij, pjesëmarrëse në Championship, kategoria e dytë angleze. Ispuiç ka humbur shtatë nga nëntë ndeshjet e fundit në kampionat dhe ra nga vendin e gjashtë në vendin e 19-të në harkun e dy muajve. Për Kin ishte fatale humbja 0-1 në shtëpi kundër Nontigem Forestit.

Botërori i vitit 2002 në janar

Botërori i vitit 2022 në Katar ka mundësi të luhet në muajin janar, edhe pse qershor-korriku është periudha tradicionale për të luajtur kampionatin maksimal futbollistik. Lajmin edhe presidenti i FIFA-s, Sep Blater. “Kemi kohë për ta shqyrtuar këtë çështje, pasi duhen akoma dhe 11 vjet, por duhet të vendosim periudhën më të përshtatshme për një Kupë Bote të suksesshme, që do të thotë në janar apo në fund të vitit”, - saktësoi Blater. Në Katar temperaturat verore kalojnë 40 gradët.

8 Janar 2011

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›