Obama kërkon mbylljen e Guantanamos

Presidenti i SHBA-së, Barack Obama, ka nënshkruar ligjin mbi buxhetin ushtarak për vitin 2011, por ai ka përsëritur vendosmërinë për të mbyllur burgun në Guantanamo, pavarësisht nga dispozitat e ligjit që e parandalojnë atë.
Pas disa muajsh negociata, të dyja dhomat e Kongresit kanë kaluar në muajin dhjetor të vitit të kaluar ligjin, i cili parasheh një buxhet ushtarak prej 725.9 miliardë dollarë.
Megjithatë, ligji përmban një dispozitë, e cila “ndalon përdorimin e fondeve të Ministrisë së Mbrojtjes për ndërtimin apo modifikimin e vendeve në SHBA, për të burgosurit e transferuar nga qendra e paraburgimit në Guantanamo”.
Ligji po ashtu pengon Pentagonin për të financuar “transferimin, lirimin ose ofrimin e ndihmës në SHBA për të burgosurit nga Guantanamo”.
Gjithashtu ndalon edhe transferimin e të burgosurve në vendet ku ishin transferuar të burgosurit e dikurshëm nga kjo bazë ushtarake në Kubë.
Rreth 170 persona mbahen ende në paraburgim në Guantanamo.