E Shtunë, 31 Tetor 2026

Largohet Kuzhe FSHF nuk i rinovon kontraten

Një takim që zgjati më pak se 60 minuta, një shtrëngim duarsh dhe në fund një prononcim I shkurtër për mediat. Kështu është mbyllur aventura e trajnerit Josip Kuzhe me kombëtaren e Shqipërisë. Një lamtumirë e pritshme, por që është bekuar me një takim formal mes teknikut kroat dhe presidentit të federatës shqiptare të futbollit Armand Duka. Përfundimi: nuk ka rinovim, nuk ka as hatërmbetje mes palëve përderisa trajneri do të paguhet deri nën fund të kontratës që skadon më 31 dhjetor.

“U takua me zotin Duka dhe vendosëm që të mos e vazhdopjmë bashkëpunimin tonë. Për të dyja palët kjo ishte zgjidhja më e mirë. Sigurisht, unë pata arsyet e mia, ndërsa federata të sajat. Kjo është një periudhë e re për kombëtaren shqiptare dhe mbase do të ishte më mirë të ketë një trajner të ri”, tha Josip Kuzhe ish-trajner i Kombëtares.

Josip Kuzhe mori drejtimin e përfaqësueses shqiptare në vitin 2009, ndërsa me kuqezinjtë i shtoi karrierës së tij 24 ndeshje miqësore dhe zyrtare me një bilanc 8 fitore, 7 barazim dhe 9 humbje. Por, fatale për të ardhmen e tij në Shqipëri ishin rezultatet e dobta në elminatoret e Euro 2012 me vendin e pestë në grupin D. Tani Kuzhe i përketb së shkuarës, ndërsa topi mbetet në fushën e Federatës, më saktë të presidentit Duka i cili duhet të zgjedhjë trajnerin e ri. Numri një i qeverisë së futbollit nuk pranon të japë emra, por për një gjë është i sigurt sipas tij: Kombëtarja ka nevojë për ide të reja.

"Të dy palët diskutuan që do të jetë më mirë për kombëtaren shqiptare një trajner i ri, një energji e re, për të përgatitur edicionin e ardhshëm. Për të qenë etik nuk kishim si të diskutonim me emra të tjerë pa mbyllur një marrëveshje me trajnerin aktual, me një njeri që kishim një kontratë aktuale dhe që kishim bashkëpunuar për tre vjet. Nga dita e sotme jemi të lirë që të kontaktojmë kandidaturat", tha Armand Duka, president i FSHF.

Duka i mëshon etikës, por në korridoret e selisë që ai drejton kanë nisur të qarkullojnë emrat e kandidatëve të mundshëm. Në krye të listës qëndron ish-kapiteni Besnik Hasi, opsioni më i mundshëm, nëse presidenti i FSHF-së vërtet ka vendosur do t’i japë fund dashurisë me trajnerët e huaj. Nëse nuk është kështu, atëherë në tavolinën e Armand Dukës janë edhe CV-të e sllovenit Zejlko Katanec dhe hollandezit Ervin Koeman.

Nertan Prifti

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›