Incident në Maqedoni, policia vret katër shqiptarë
Policia maqedonase ka vrarë katër shqiptarë në një rrugë pranë kufirit me Kosovën, pas një shkëmbimi zjarri që ka zgjatur për disa minuta. Tre nga viktimat janë identifikuar, ndërkohë është duke u bërë identifikimi i viktimës së katërt. Bëhet fjalë për Xhafer Shalën 31 vjeç nga Prishtina, Shaban Zenunin nga fshati Merovë i Maqedonisë dhe Qemajl Fejzullahun nga fshati Gërçec i Maqedonisë. Identiteti i personit të katërt të vrarë në këtë incident nuk është bërë i ditur.
PoliciaNdërkaq, Policia në Maqedoni konfirmoi se katër persona janë vrarë pasi ajo ka shkëmbyer zjarr me ta në afërsi të fshatit Radushë në kufi me Kosovën. Sipas policisë, viktimat janë dy shtetas maqedonas, një kosovar dhe një i paidentifikuar. Sipas Ministrisë së Brendshme maqedonase, pas informacioneve paraprake operative dhe njohurive për transport të armëve ilegale nga Kosova në Maqedoni, policia të martën në mbrëmje kishte vendosur një pritë për kontrollin e një mjeti transportues në rajonin midis fshatrave Rashçe–Radushë. Gjatë tentimit të njësiteve speciale rreth orës 2:00 të mëngjesit, për të ndaluar një veturë transportuese, furgon të modelit “Mercedes Sprinter” me targa të falsifikuara të Prilepit në këtë aks rrugor, personat në furgon, tre prej të cilëve me uniforma të zeza, nuk i janë përgjigjur ndalesës së njësiteve policore dhe në vend që të ndalen, ata kanë vazhduar rrugën dhe kishin shtënë më pas në drejtim të patrullës policore. Pjesëtarët e policisë janë kundërpërgjigjur me zjarr, nga shkëmbimi i të cilit kanë humbur jetën katër personat që ishin në furgon”, thuhet në komunikatën e MPB-së. Sipas MPB-së, në furgon janë gjetur sasi të konsiderueshme të armëve: 3 raketahedhës dore me 3 thashë granata, 6 pushkë automatike dhe 1 pushkë gjysmë-automatike, 1 snajper, 1 mitraloz, një thes me TNT eksploziv, 6 bomba dore, mina tokësore, 12 granata për minahedhës dore 60 mm, municion për pushkë automatike, çizme ushtarake, emblema të UçK-së dhe harta.
JankullovskaMinistrja e Brendshme e Maqedonisë, Gordana Jankullovska, tha se policia ka në kontroll situatën e sigurisë. Ministrja i përshkroi personat si njerëz që kanë pasur probleme me ligjin, sidomos njëri prej tyre, shtetas i Kosovës, ka qenë i dënuar me 9 vjet burg dhe kërkohej nga policia. Dy personat e tjerë të vrarë janë shtetas të Maqedonisë, kurse identiteti i personit të katërt nuk është bërë i ditur. Jankullovska theksoi se “s’ka arsye për shqetësim nga ana e qytetarëve të Maqedonisë. Policia ka kontroll të plotë dhe ka informacione të plota për sigurinë e Maqedonisë dhe qytetarëve të saj”. Incidenti në zonën e fshatit Radushë, vetëm disa kilometra larg Shkupit dhe në kufi me Kosovën, vjen pas një aksioni në një fshat tjetër kufitar në Bllacë para rreth dy javësh, ku policia gjeti një sasi të konsiderueshme armësh.
ProblemetPolicia nuk i lidh këto dy ngjarje, por vëzhguesit thonë se sfidat e sigurisë po rishfaqen, në kohën kur ka shqetësime në rritje për marrëdhëniet ndëretnike, të cilat janë përkeqësuar nga disa projekte qeveritare, çka nuk pranohet prej saj. Kryetari i bashkësisë lokale të fshatit Radushë, Zyqifli Saiti, tha se incidenti ka ndodhur 11 kilometra larg fshatit Radushë, ku ndahet rruga mes fshatrave Rashçë-Radushë. “Morëm informacione se kishte krisma dhe se ishte bllokuar rruga, por nuk e di me saktësi se çfarë ka ndodhur atje. Në Radushë është qetë, rruga lëviz, sapo kalova në vendin e ngjarjes, theksoi Saiti. Incidenti në fshatin Radushë vjen pas një aksioni policor para rreth dy javësh kur forcat e policisë u ndeshën me një grup tjetër të armatosur në fshatin Bllacë, gjithashtu në kufi me Kosovën dhe ku gjithashtu u shkëmbye zjarr. Pas aksionit të policisë, ajo bëri të ditur se kishte gjetur një sasi të konsiderueshme armatimesh. Përfaqësues ndërkombëtarë ngritën menjëherë alarmin, duke thënë se dhuna nuk është e pranueshme. Por pse situata e sigurisë vihet në pikëpyetje në Maqedoni? Disa vëzhgues thonë se kjo vjen për shkak të injorimit të vazhdueshëm të Kryeministrit Nikolla Gruevski ndaj marrëdhënieve ndëretnike. Një sondazh i bërë para disa javësh sugjeronte se gati 90 për qind e shqiptarëve në Maqedoni nuk mbështesin politikat e tij. “Pas këtyre konstatimeve asnjë gjë nuk u ndërmor”, thotë Sefer Tahiri, gazetar, profesor universitar, i cili vjen nga rajoni i Radushës. “Fatkeqësisht, kohëve të fundit ka një raport të paqartë midis qeverisë dhe asaj çfarë ndodh në terren”, thotë ai. “Realisht qeveria nuk e merr seriozisht situatën, ndërkohë që ka një përkeqësim të marrëdhënieve ndëretnike edhe të situatës të sigurisë”. Pavarësisht kritikave që i bëhen, Kryeministri Nikolla Gruevski nuk i pranon ato dhe në disa raste ka përsëritur se është i përkushtuar në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit. Vërejtje për moskujdes në marrëdhëniet ndëretnike dhanë edhe disa mijëra protestues të hënën, të cilët të organizuar nga rreth 40 organizata joqeveritare shqiptare thanë se ende ndihen të diskriminuar për shkak të politikave qeveritare.
#