Largohet gjyqtarja e Aneta Ramës

Anëtares së trupit gjykues të Padisë së Aneta Ramës, Evjeni Sinoimerit, i ka mbaruar mandati në Gjykatën e Larë
Seanca e djeshme u shty për shkak se mungonin dy gjyqtarë, ndërsa gjyqtarja e larguar u zëvendësua nga Ariana Fullani
TIRANË- Edhe seanca e tretë gjyqësore, me palë paditëse Aneta Ramën, nënën e kryetarit të Partisë Socialiste z.Edi Rama dhe të paditurit kryeministrit të Shqipërisë z.Sali Berisha, u shty për shkak të mos formimit të trupi gjykues prej pesë anëtarësh.
Shkak për këtë mos formim, ishte edhe mbarimi i mandatit si gjyqtare e Gjykatës së Lartë të relatores së kësaj çështjeje, gjyqtares Evjeni Sinoimeri.
Mbarimi i mandatit të saj si gjyqtare, bëri që kryetarja e Gjykatës së Lartë të organizojë shortin me gogla, ku për pasojë u zgjodh gjyqtarja Arjana Fullani si zëvendësuese e relatores Sinoimeri. Por, edhe pse u bë përzgjedhja e anëtares së re të trupës gjyqësore, këta të fundit u detyruan ta shtyjnë seancën për me datën 24 maj ora 10:00 për vazhdimin e procesit gjyqësor.
Ndërkaq, gjatë seancës së fundit gjyqësore, ka qenë përfaqësuesja ligjore e kryeministrit Sali Berisha, avokatja Erinda Ballanca, e cila ka kërkuar të shtyjë vazhdimin e seancës për t'i dhënë kohë të njihen me provat e avokatëve të paditëses Aneta Rama, nënës së kryetarit të Partisë Socialiste z.Edi Rama. Ndërsa, avokatët e paditëses Rama në fjalën e tyre parashtruan disa kërkesa para Gjykatës së Lartë.
U kërkua që Gjykata e Lartë t'i drejtohet Kuvendit me një kërkesë për heqjen e imunitetit të kryeministrit Sali Berisha, pasi në deklaratat e tij të datës 26 nëntor 2009 ai ka shpifur ndaj znj.Aneta Rama. Përfaqësuesit ligjorë të kryeministrit, kundërshtuan pretendimin duke e cilësuar deklaratën e shefit të ekzekutivit si deklaratë politike.
"Kryeministri Sali Berisha në fjalën e tij të datës 26 nëntor 2009 të mbajtur para deputetëve nga foltorja e Kuvendit të Republikës, ka bërë një deklaratë politike. Nga kjo deklaratë nuk ka asnjë fakt shpifës apo fyes ndaj zonjës Aneta Rama, përkundrazi ndaj saj ka shprehur respekt",- patë thënë avokatja Ballanca.
Gjithashtu, po gjatë kësaj seance gjyqësore, avokatët e paditëses Rama kërkuan që gjatë shqyrtimit të padisë penale për "shpifje" ndaj kryeministrit Berisha të jetë i pranishëm edhe një prokuror i Prokurorisë së Përgjithshme. Pasi sipas tyre, përfaqësuesi i akuzës duhet të konstatojë që kryeministri Berisha ka konsumuar veprën penale të "shpifjes".
Kërkesë kjo e cila u rrëzua, bashkë me kërkesën tjetër që krahas procesit penal të shqyrtohet edhe padia civile ndaj kryeministrit Berisha, për dëmshpërblim financiar për "shpifjet" dhe "fyerjet" drejtuar nënës së kryesocialistit Edi Rama, znj.Aneta Rama.