Largohet me titull
David Beckham kurorëzoi aventurën e tij prej pesë vitesh e gjysmë në Los Angeles Galaxy duke mbrojtur trofeun e MLS Cup pas fitores 3-1 ndaj Houston Dynamos në ndeshjen e tij të fundit për skuadrën amerikane. Në minutat shtesë, Beckham u zëvendësua mes ovacioneve nga i gjithë stadiumi.
“Jam i mërzitur që i erdhi fundi”, deklaroi Beckham i cili debutoi për LA Galaxy më 18 gusht 2007. “Ky është një vend shumë i veçantë për mua dhe do të vazhdojë të jetë i tillë. Jam i lumtur që isha pjesë e këtij klubi për gati gjashtë vite dhe gëzohem që isha i suksesshëm në katër vitet e fundit. Unë mund të mos jem më këtu por do të mbetem gjithmonë në gatishmëri të ndihmoj zhvillimin e mëtutjeshëm të klubit, ligës, dhe sportit”, shtoi ish anëtari i Manchester Unitedit, Real Madridit dhe Milanit.
Beckham spekulohet me transferim në Paris St Germain dhe Monaco por insistoi se “nuk kam ide” se ku do të luajë në vazhdim. Kjo është hera e dytë që ai ngrit trofeun e MLS Cup, LA Galaxy mposhti kundërshtarin e njëjtë 1-0 në finalen e edicionit të shkuar. Ish kapiteni i Anglisë po ashtu u paraqit në finalen e vitit 2009 kur Galaxy humbi pas penalltive nga Real Salt Lake.
Beckham ishte afër të përshëndetet me gol por nuk arriti të mbërrij topin pas një harkimi të mirë të një bashkëlojtari në 10 minutat e fundit të takimit. Beckham u nxor nga trajneri Bruce Arena në çastet e fundit të takimit duke u përqafuar me bashkëlojtarët dhe kundërshtarët derisa doli nga fusha.
Beckham i cili bëri rekord 115 paraqitje për Anglinë, ishte pjesë e skuadrës së famshme të Manchester Unitedit që mposhti Bayern Munichun në finalen e Ligës së Kampionëve më 1999. Ai u largua nga Old Trafford për në Real Madrid më 2003 para kalimit në LA Galaxy në janar 2007 ku debutoi në ligë në gusht të po atij viti.
Ai u kritikua nga disa tifozë të Galaxyt pas dy herë huazimit në Milan më 2009 dhe 2010 që u përcoll me mungesën e tij në disa takime të sezonit në MLS. Por, para se të ngrit trofeun, intervista e tij e fundit pas takimit u prit nga duartrokitjet e tifozëve vendas.