Largohet nga detyra Engjëll Agaçi, ja gruaja që e zëvendëson

Sekretari i përgjithshëm i Kryeministrisë, Engjëll Agaçi është larguar nga detyra pas 13 vitesh.
Vendimi është marrë gjatë një mbledhje informale të qeverisë ditën e sotme.
Ndërkohë, pasuesja e tij, në këtë post është Elsonida Rama, e cila aktualisht mban pozicionin e drejtoreshës së Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë, e përfshirë edhe në grupin e punës për hartimin e Kodit të ri Penal.
Më herët, ajo ka punuar gjithashtu në Kryeministri te drejtoria Juridike.
Prezantimi i saj është bërë gjithashtu gjatë mbledhjes së sotme.

Kujtojmë se, Engj Agaçi është një emër shumë i përfolur dhe i thirrur në SPAK për disa cështje, mes atyre afera e inceneratorëve dhe AKSHI-t.
Ai u paraqit edhe ditën e sotme në Prokurorinë e Posaçme.
Ai ka qëndruar atje për rreth tre orë ndërsa pas daljes nga ambientet e Prokurorisë së Posaçme ka deklaruar se ishte thirrur atje për inceneratorin e Tiranës.
“U thirra për inceneratorin e Tiranës. Mendoj se ky nuk duhet të përbëjë një lajm, të gjithë duhet të jemi në dispozicion dhe funksion të organeve të drejtësisë”, u shpreh Agaçi.