E Shtunë, 31 Tetor 2026

Largohet një nga dëshmitarët e çështjes “Remzi Hoxha”

Riza Fisnik Shehu, ish-oficer i SHIK-ut, sipas prokurorisë ka marrë pjesë në rrëmbimin e biznesmenit Hoxha. Prej më shumë se tre muaj, prokurori i çështjes kërkon nga gjykata që Shehu të thirret për të dëshmuar, pasi sipas tij ai ka dijeni të plotë për rrethanat e ngjarjes.

Policia ka deklaruar se Fisnik Shehu qëndronte prej disa vitesh në SHBA, ndërkohë prokuroria thotë se ai ka ardhur disa herë në Shqipëri dhe muajt e fundit kishte udhëtuar drejt Italisë.

Pak ditë më parë ai kishte mbërritur në Shqipëri për shkak të një fatkeqësie familjare dhe i kontaktuar nga oficerët e policisë gjyqësore, ai kishte firmosur fletëthirrjen e gjykatës për t'u paraqitur në proces. Por, dje Riza Shehu është larguar sërish në drejtim të Italisë, duke refuzuar në këtë mënyrë gjykatën.

I ndodhur përballë një fakti të tillë, prokurori i çështjes, Xhevat Hana i ka kërkuar gjykatës ta pyesë Riza Shehun përmes një letër-porosie, pasi e konsideron dëshminë e tij si mjaft të rëndësishme për zbardhjen e ngjarjes.

Remzi Hoxha u rrëmbye 14 vjet më parë dhe mendohet se u torturua në bazën e SHIK-ut në Vain të Lezhës.

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›