E Shtunë, 31 Tetor 2026

Largohet opozita, PD rrëzon Sokol Çomon

Demokratët rrëzojnë kandidaturën e Presidentit për Gjykatën e Lartë: Karriera e tij është sponsorizuar nga PS

Partia Demokratike ka rrëzuar në Komisionin e Ligjeve dekretin e Presidentit të Republikës për emërimin e gjyqtarit Sokol Çomo në Gjykatën e lartë. Deputetët e djathtë e akuzojnë gjyqtarin Çomo se gjatë karrierës së tij ka pasur mbështetje politike.


Në relacionin e përgatitur nga të djathtët vlerësohet se kandidatit i mungon vullneti për të dhënë një kontribut të drejtë dhe të paanshëm në sistemin e drejtësisë dhe posaçërisht në Gjykatën e Lartë, pasi lidhja e tij me politikën dhe ndikimi prej saj, si dhe mungesa e karrierës në sistemin gjyqësor, evidentohen qartë si nga seanca dëgjimore ashtu edhe nga dokumentacioni i depozituar në komision.


Fatos Hoxha, i cili ishte edhe relatori për emrin e dytë të dekretuar nga presidenti për kandidatin për Gjykatën e Lartë, deklaroi se shmangia nga disa pyetje tregon mungesën transparence dhe luajalitetit në raport me Kuvendin dhe opinionin publik, gjë që, sipas deputetit demokrat, është e papranueshme për një kandidat për anëtar të Gjykatës së Lartë.


Ndërsa kandidatura e dytë, ajo e Mehdi Bicit, mori miratimin e deputetëve të mazhorancës për tu miratuar në parlament ditën e enjte.


Vendimi


"I propozoj Kuvendit që të miratojë në seancën plenare rrëzimin e kandidaturës për anëtar të Gjykatës së Lartë, zotit Sokol Çomo, si një kandidaturë me mangësi dhe mungesë besueshmërie në integritetin profesional dhe moral", u shpreh Fatos Hoxha. Në relacionin e përgatitur nga deputeti e PD-së, citohet se gjatë karrierës së tij në sistemin e drejtësisë, zoti Çomo ka pasur mbështetje politike.


"Karriera e zhvilluar nga kandidati Sokol Çomo është karrierë e mbështetur dhe e sponsorizuar vetëm nga një forcë politike, Partia Socialiste, kur ka qenë në pushtet, ndaj edhe dorëheqja është dhënë sa herë i ka volitur kësaj forcë politike. Në seancën dëgjimore kandidati nuk dha asnjë indikacion apo fakt, vendim, opinion apo qëndrim të kundërt me forcën politike që duket se e mbron", citon raporti. Një vendim i tillë është mbështetur edhe nga deputetët e tjerë demokratë, të vetmit të cilët ishin në mbledhjen e Komisionit.


Largimi i opozitës


Deputetët socialistë kanë braktisur punimet e Komisionit të Ligjeve pak para fillimit të dëgjimit të relacioneve për dy emrat kandidatë për Gjykatën e Lartë. Socialistët kërkuan më shumë kohë për shqyrtimin e tri kandidaturave të dekretuara nga Presidenti i Republikës.


Nënkryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafa, e cilësoi të paracaktuar vendimin për zgjedhjen ose jo të tri kandidaturave të dekretuara nga presidenti Topi për gjyqtar të Gjykatës së Lartë. "Është përcaktuar te zyra e kryeministrit, dhe kjo është e qartë. Problemi që po kërkojmë ne është të na jepni kohën e nevojshme për të bërë një debat.


Dhe çfarë? Në fund do të përfundojë me kartonët tuaj", tha Xhafa. Ndërsa deputeti tjetër socialist, Pandeli Majko, e krahasoi procesin e shqyrtimit të kandidaturave në komision me mbledhjet e dikurshme të lagjes. "Ky, një nga proceset më të rëndësishme.


Mungon relacioni i kandidatit, ndaj nuk veprohet kështu. Duhet seriozitet në shqyrtimin e kandidaturave, ndërkohë që Komisioni vepron si mbledhjet e dikurshme të lagjes", tha Pandeli Majko, deputet i PS-së. Ndërsa Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmajli, sqaroi se objekt shqyrtimi ishin kandidaturat dhe jo relacionet.


PS: Mungon transparenca në ndryshimin e buxhetit


Partia Socialiste i cilëson një situatë thellësisht jo profesionale punimet e Komisionit të Ekonomisë.


Deputetja Socialiste, Mimi Kodheli, shprehu pakënaqësitë për drejtimin e deri tanishëm të këtij komisioni dhe kërkoi rikthimin e normalitetit. Një tjetër çështje, në të cilën u ndal nënkryetarja e Komisionit të Ekonomisë, Mimi Kodheli, ishte edhe ndryshimi i buxhetit për vitin 2010. Sipas deputetes Kodheli, qeveria nuk po tregohet transparente për ndryshimet e buxhetit të shtetit.


"Shqyrtimi i ligjit që ndryshon buxhetin e vitin 2010, në këtë moment të krizës ka një rëndësi jetike. Ai duhet të jetë një shqyrtim serioz dhe tejet transparent, i hapur për diskutime me të gjitha grupet e interesit e ministritë përgjegjëse.


Rregullorja e kuvendit në 8 nene të saj garanton dhe normon të drejtën e deputetit për të audituar thellësisht buxhetin e shtetit", theksoi Kodheli. Për PS, ndryshimet e buxhetit të shtetit për vitin 2010, janë konfirmim i krizës ekonomike, në të cilën është vendi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›