Akuzohet se përdhunoi 85-vjeçaren, lihet në qeli

Gjykata e Korçës ka vendosur masën e sigurisë "arrest me burg" për 40-vjeçarin Kovaçi
KORÇË- Gjykata e Korçës lë në burg 40-vjeçarin e akuzuar për kryrjen e marrëdhënieve seksuale me dhunë me një 85-vjeçare.
Ngjarja e së shtunës ka mbërritur për shqyrtim në Gjykatën e Korçës. Artur Kovaçi ka dalë para togave të zeza për masën e sigurisë, teksa gjyqtari i gatshëm ka vendosur të lërë në burg 40-vjeçarin deri në përfundimin e plotë të hetimeve të nisura.
Gjatë seancës gjyqësore të së mërkurës, Kovaçi nuk ka pranuar të japë shpjegime, ndërsa masa e sigurisë për të ka qenë ajo e kërkuar nga prokurori e pikërisht "burg pa afat", nisur edhe nga fakti që ai akuzohet për një vepër të rëndë.
Ngjarja u regjistrua të shtunën, kohë në të cilën një 85-vjeçare është paraqitur në policinë e këtij qyteti dhe ka denoncuar faktin se është përdhunuar seksualisht nga një 40-vjeçar. Madje i prangosuri mësohet se është dhe fqinj me të moshuarën.
Nga hetimet e para mësohet se fqinji i të moshuarës ka shkuar t'i lyejë banesën kësaj të fundit pasi merrej me këtë punë. Por në fakt qëllimi i tij për të hyrë në shtëpinë e gruas ka qenë diçka tjetër.
Gruaja ka kërkuar ndihmën e bluve, teksa ka denoncuar ngjarjen e ndodhur. Menjëherë pas denoncimit të gruas së moshuar, është bërë ndalimi i personit të dyshuar, i cili është shtetasi Artur Kovaçi, 40 vjeç, banor i lagjes 14 në Korçë. Kovaçi akuzohet për "marrëdhënie seksuale me dhunë me persona me aftësi të kufizuara".
Trupi gjykues ka vendosur masën e sigurisë burg pa afat deri në përfundim të hetimeve për ngjarjen.