E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS, më 12 korrik zgjedhjet për krerët e rretheve

Kryesia e Partisë Socialiste miraton kandidaturat që pas pesë ditësh do të konkurrojnë për kryetar partie


TIRANË - Partia Socialiste mblodhi dje kryesinë për të miratuar listën e kandidatëve për kryetar nëpër rrethe. Zgjedhjet për kryetar, sipas vendimit të marrë nga kryesia, do të zhvillohen në datën 12 korrik.


Për kryetar të Partisë Socialiste për rrethin e Tiranës priten të jenë përballë Pjerin Ndreu dhe Bledar Doracaj. Gjatë zgjedhjeve të fundit elektorale, Pjerin Ndreu u mor me drejtimin e strukturës që ngriti PS për mbrojtjen e votës, ndërsa Bledar Doracaj është me profesion avokat dhe ka një veprimtari të gjatë në strukturat brenda PS.


Doracaj ka qenë Sekretar i Përgjithshëm i FRESH-it dhe aktualisht është anëtar i Asamblesë Kombëtare të PS.


Në qytetin e Durrësit do të konkurrojnë Gentian Bejko dhe Aurel Voda. Për postin e kryetarit të Partisë Socialiste për rrethin e Fierit do të jenë përballë Xhevit Bushi dhe Pëllumb Hazizi.


Rrethi i Fierit është edhe një nga rrethet më të rëndësishme në vend, pasi qarku i Fierit në zgjedhjet e fundit elektorale, sipas ndarjes administrative, është qarku i dytë në vend me 16 deputetë. Në Elbasan, kryesia ka diskutuar për tre emra, Ndriçim Hysa, Arben Kamani dhe Astrit Halili.


Ndriçim Hysa është një nga emrat më me përvojë në jetën politike. Ai ka qenë për katër herë deputet në parlamentin shqiptar si deputet i PS-së dhe ishte kandidat në vendin e 11 në listën e selisë rozë për zgjedhjet e 28 qershorit. Edhe kandidati tjetër për kryetar rrethi për PS-në në Elbasan ka qenë kandidat në zgjedhjet e kaluara.


Halili është me profesion ekonomist. Për kreun e PS Shkodër kandidojnë Agim Shima, Nikolin Dedvuka. Kandidati Shima është me profesion ekonomist, kurse kandidati tjetër, Dedvuka, me profesion biznesmen. Për qytetin e Vlorës konkurrojnë Kujtim Sulçe dhe Eduard Leli.


Sipas Statutit të ri të PS-së të miratuar në Kongresin e 18 prillit 2010, kandidaturat për kryetar të partisë propozohen nga Asambletë Socialiste të njësive vendore të rrethit dhe miratohen nga Kryesia e PSSH. Kryetari i partisë i rrethit zgjidhet me votim të fshehtë nga mbledhja e zgjeruar e Asamblesë Socialiste të rrethit.

Lista e kandidatëve
Tiranë
Pjerin Ndreu
Bledar Doracaj

Elbasan
Ndriçim Hysa
Arben Kamani
Astrit Halili


Korçë
Ilir Pendavinji
Bashkim Hazisllari
Ermir Skënderi
Muharrem Meko

Tepelenë
Pëllumb Milori
Sulo Muçobega

Pogradec
Bardhyl Hyka
Ilir Xhakolli
Stefan Hila
Anxhela Andoni

Durrës
Gentian Bejko
Aurel Voda

Berat
Valbona Zylyftari
Selman Hodo
Stavri Ceca

Dibër
Drini Gjeçi
Ulsi Manja

Fier
Xhevit Bushi
Pëllumb Hazizi

Lezhë
Agustin Marku
Hasan Muça

Shkodër
Agim Shima
Nikolin Dedvuka

Vlorë
Kujtim Sulçe
Eduard Leli

Lushnje
Bujar Cela
Ilirjan Bakiasi
Astrit Zeka


Mbledhja e grupit

Dje partia Socialiste mblodhi grupin e saj parlamentar për të diskutuar për zhvillimet më të fundit politike në vend dhe për vendimet që ajo do të marrë.


Një nga vendimet që mori grupi socialist dje ishte pjesëmarrja në seancën plenare ditën e enjte, ku do të shqyrtohen dy prej dekreteve të presidentit për anëtar të Gjykatës së Lartë.


Socialistët do të votojnë kundër projektligjeve që janë parashikuar për ditën e sotme në seancë. Pas mbledhjes së grupit, nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Saimir Tahiri, bëri publik qëndrimin e PS për procesin e miratimit të kandidaturave për anëtar të Gjykatës së Lartë.


Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste e konsideron të papranueshëm procesin dhe qëndrimin e mazhorancës për kandidaturat e emëruara nga Presidenti i Republikës për anëtarë të Gjykatës së Lartë.


"Grupi Parlamentar i PS e konsideron këtë proces si të montuar politikisht që jo vetëm nëpërkëmb thellësisht integritetin e kandidaturave të miratuara nga Presidenti i Republikës, por gjithashtu nëpërkëmb edhe integritetin e të gjithë trupës së gjyqtarëve, duke imponuar konformitetin dhe bindjen politike ndaj partisë në pushtet, si kriterin kryesor dhe të vetëm për të përfituar pëlqimin e parlamentit për anëtar të Gjykatës së Lartë", deklaroi deputeti Tahiri.


PS e konsideron procesin e miratimit të kandidatëve për gjyqtar të Gjykatës së Lartë një farsë politike, e cila, sipas socialistëve, është e diktuar nga interesat e partisë në pushtet për të uzurpuar dhe nënshtruar sistemin gjyqësor dhe institucionet e pavarura kushtetuese.


"Diktimi partiak i kandidaturave për anëtarë të Gjykatës së Lartë ka për qëllim mbylljen e hesapeve që përfaqësuesit e Sali Berishës dhe kësaj qeverie kanë me drejtësinë për shkak të akuzave publike për korrupsion, duke çuar më tej kulturën e pandëshkueshmërisë ndaj zyrtarëve të lartë me imunitet qeveritar e parlamentar", - thekson grupi parlamentar i PS-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›