E Shtunë, 31 Tetor 2026

Larmi projektesh për kthimin e identitetit të Hotolishtit, komunës më të madhe në rrethin e Librazhdit

01-05-2011 / L.Q

Kandidati i Partisë Demokratike për komunën Hotolisht, Fadil Alliu, premton asfaltimin e çdo rruge brenda mandatit të parë

Qeveria parashikon investime të mëdha në komunën Hotolisht të rrethit të Librazhdit, për kthimin e saj në një qendër të rëndësishme rurale, por me perspektivë urbane. Investimet e viteve të fundit kanë ndikuar në transformimin e zonës si investime në infrastrukturë ku vlen të përmendet asfaltimi i rrugës kryesore në qendër të Hotolishtit, ndërtimi i urës lidhëse mbi lumin Shkumbin për fshatin Dardhë dhe Xhyrë si dhe rikonstruksionin e akseve përkatëse rrugore. Ajo që mbetet tani është asfaltimi i tyre. Në takimet e zhvilluara me banorë të fshatrave të Hotolishtit, kandidati i Partisë Demokratike dhe koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, Fadil Alliu ka dëgjuar banorët, shqetësimet dhe propozimet e tyre, mbi bazën e të cilave ka ndërtuar programin e qeverisjes vendore.
Ai ka theksuar se në këto vite të qeverisjes, Partia Demokratike ka investuar për mirëqenien e banorëve të Hotolishtit.
“Me kandidimin tim dhe fitoren tonë të përbashkët, ju siguroj se ju jeni të parët. Ne do të bëjmë gjithçka së bashku gjatë mandatit të ardhshëm”, tha kandidati demokrat Alliu në një takim të zhvilluar me banorë të fshatrave të komunës Hotolisht.
Ai kërkoi votën e banorëve në 8 maj, me qëllim vazhdimin e projekteve të nisura. Hotolishti ka dhe do të ketë të gjithë vëmendjen e qeverisë, në të do të investohet çdo projekt për banorët dhe të gjithë zonën.
“Ne duam vazhdimësinë e kësaj pune që është nisur. Rrugët tona prej vitesh s’kanë njohur rikonstruksion ndërsa tani që puna ka filluar ajo duhet të shkojë deri në fund”, i tha një banor kandidatit Alliu.
Ai i siguroi ata se gjatë 4 viteve të ardhshme çdo rrugë e komunës Hotolisht do asfaltohet. Për këtë ai shprehu zotimin e qeverisë për investimin e çdo segmenti të rrugëve rurale gjatë katër viteve të ardhshme. 
Duke folur për projektet afat shkurtra dhe afat mesme kandidati për kryetar komune Fadil Alliu deklaroi se, “si prioritet të punës sime, dyfishim të investimeve në komunë, vendosjen e konstruksionit metalik të urës në fshatin Çerçan, asfaltim në afatin më të shkurtër për rrugën e Xhyrës, asfaltimi i rrugës Hotolisht-Qendër-Frarë, ndërtimi i rrugës së fshatit Vulçan, ndërtimi i ujësjellësit kryesor në bashkëpunim edhe me Ministrinë e Mbrojtjes dhe deputetin e kësaj zone brenda vitit 2012, rikonstruksionin e shkollave 9-vjeçare, projekte të cilat kanë mbetur pa përfunduar si dhe rikonstruksionin e qendrës shëndetësore Hotolisht, me vlerë 12 milion lekë”.
“Detyrë parësore transparencë të plotë për taksapaguesit e kësaj komune, ku qytetarët do të jenë vendimmarrës në miratimin e të gjitha projekteve që do të ketë kjo administratë”, tha ai.
Komuna Hotolisht është një nga njësitë vendore që ka hartuar dhe zbatuar mjaft projekte, sigurisht të iniciuara nga kryetari aktual z.Hajdar Nogu dhe me mbështetjen e fuqishme të qeverisë shqiptare. Banorëve gjithnjë ju është shërbyer me devotshmëri dhe investimet janë të pranishme, të cilat banorët i prekin vetë me dorë, ndaj dhe në çdo fshat ku Alliu ka zhvilluar takime ata janë shprehur mjaft të kënaqur si dhe kanë shprehur mbështetjen e tyre për vazhdimin e projekteve të nisura. Pas 4 vitesh kjo zonë e rrethit të Librazhdit, fare lehtë mund të konsiderohet si një nga zonat më të bukura turistike të vendit me atë ç’ka i ka falur natyra: së shpejti do të jetë një destinacion turistik, lehtësisht i arritshëm, ashtu siç e meriton...

Disa nga pikat e programit të kandidatit të Partisë Demokratike dhe “Aleancës për Qytetarin” në komunën Hotolisht, Fadil Alliu

- Dyfishimin e investimeve, përmes thithjes së donacioneve jo vetëm nga Qeveria shqiptare por edhe nga sektori privat
- Vendosjen e konstruksionit metalik të urës në fshatin Çerçan
- Asfaltim i menjëhershëm i rrugës së Xhyrës
- Asfaltimi i rrugës Hotolisht- Qendër- Frarë
- Rikonstruksioni i rrugës së fshatit Vulçan
- Rikonstruksionin e shkollave 9- vjeçare
- Rikonstruksionin e qendrës Shëndetësore në Hotolisht me vlerë 12 milionë lekë
- Transparencë të plotë për taksat dhe të ardhurat e Komunës
- Bashkë-vendimmarrje të qytetarëve në miratimin e të gjitha projekteve të kësaj administrate
- Rikonstruksion i rezervuarit të fshatit Vehçan
- Vazhdimin e fazës së dytë të ujësjellësit Dardhë

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›