“Last Call”, ndalohen tre shtetas për mashtrimin e shtetasve të huaj

Policia njofton për finalizimin me sukses të operacionit policor të koduar “Last call”.
Bilanci i tij ishte arrestimi në flagrancë i tre shtetasve të identifikuar si E. S. 34 vjeç, F. Q. 23 vjeç, dhe M. K. 32 vjeç, të tre banues në Tiranë.
Ata nëpërmjet një Call Centeri mashtronin shtetas të huaj për qëllime fitimi. Sipas policisë të ndaluarit prezantoheshin si agjentë shitjesh dhe i bindnin shtetasit e huaj që të investonin në bursën fiktive Forex.
Gjithashtu, nga hetimet dyshohet se shtetasi M. K., me anë të mashtrimit për përfitime monetare, iu kishte premtuar 2 të arrestuarve, se do t’i mbronte nga Policia.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan: njësi kompjuterike, USB, aparate celulare, blloqe me shënime me të dhënat e shtetasve të mashtruar, si dhe shuma të ndryshme monetare të përfituara nga mashtrimet.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.
/ rtsh.al /