Lavdia e nje beteje te humbur
I nderuari zoti Hashim Thaçi!
Meqenëse nuk ju njoh nga afër, po shfrytëzoj mundësinë që më dha gazeta “Shqip”, t’ju uroj publikisht për Vitin e Ri që po vjen. Në radhë të parë, dua t’ju uroj një vit të ri të begatë dhe me suksese, në planin personal, por edhe në atë publik, pasi suksesi i Juaj është edhe suksesi i republikës së re ku banojnë vëllezërit tanë të një gjaku. Fatkeqësisht përveçse republika më e re, keni edhe primatin tjetër të jeni republika më e varfër, dhe siç ndodh rëndom me fëmijët e fundit që nuk i do askush përveç nënës, jeni edhe republika që hiq Shqipërinë, dhe nunin tuaj Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të tjerët sikur i kanë me gjysmë zemre urimet. Megjithatë, besoj se ne kemi mbijetuar, pasi gjithmonë na ka dashur fati, dhe me sa duket kohët e fundit ky ka filluar të kthejë fytyrën nga ana jonë e të na buzëqeshë. Ndaj shpresoj të na buzëqeshë si në afirmimin tonë kombëtar, ashtu edhe në begatinë tonë materiale.
Urim tjetër imi për Ju, dhe partinë që drejtoni, është për fitoren që korrët në zgjedhjet e fundit parlamentare. Dua të them që në fillim, se sikur të kisha shtetësinë kosovare (të cilën në mungesë të bashkimit tonë të shpejtë, nëse do bëhet një ligj, nuk do ngurroj ta marr), do kisha votuar për Ju dhe partinë tuaj. Jam një simpatizant i UÇK-së që në ditët kur mora vesh se ishte formuar një organizatë e tillë, jo vetëm se ishte një reagim ndryshe i popullit shqiptar që po linte të dyshonte nëse kishte forcë të kundërshtonte të keqen, por edhe se bërthama e saj përfaqësonte gjakun e ri dhe aktiv në politikën kosovare. Kam shtangur me admirim para ekranit, kur shihja kolonat e UÇK-së që shfaqeshin para kamerave, ashtu siç kam ndenjur me gjak të ngrirë se kjo flakë mos shuhej për shkak të represionit serb, dimrit të Kosovës, apo ca më keq për shkak të tradhtisë së politikanëve shqiptarë, që për interesat e tyre meskine, nuk e kishin për gjë ta bënin mish për çengelin e kasapit të Ballkanit dhe listat tuaja t’ia jepnin Serbisë.
Që në fillim të lirisë së Kosovës, dëshira ime ka qenë që ai vend të qeverisej nga Ju dhe shokët Tuaj, por ndërkombëtarët menduan ndryshe, duke pasur frikë se ju do ishit të egër dhe të paqytetëruar për të qeverisur, ndërkohë që kundërshtarët tuaj politikë pavarësisht të kaluarës me merita në sensibilizimin e çështjes sonë kombëtare, nuk kishin munguar të flirtonin me okupatorin. Paqja qoftë me ta dhe Zoti i ndjeftë kur kanë gabuar, se e kanë bërë prej zorit.
Personalisht, kam qenë i bindur se votimet e para që nuk ju dhanë fitoren Juve, kanë qenë të manipuluara, ndërsa disa të tjerë të çoroditur nga kjo ndodhi, përmendnin rastin e Çurçillit që humbi menjëherë pasi fitoi Luftën e Dytë Botërore. Por pastaj kur erdha në Kosovë, pashë se kishte edhe disa prishtinas që qanin rregullin e naçalnikëve të UDB-së, se sa të jetonin në lirinë kaotike në ato fillime. Zoti i ndjeftë për atë çfarë kanë bërë. Me siguri janë këta të sotmit që ju kritikojnë.
“Trimëria pas beteje dhe urtia pas kuvendit nuk i duhen kurrkujt” - thotë një fjalë e urtë këndej e andej alpeve tona. Sot, bythecët e të dyja krahëve, që ngroheshin pranë sobës a oxhakut në ato ditë të egra, japin mend, bëjnë analiza, ju gjejnë defekte apo bëjnë kritika për sjelljen tuaj, dhe kanë plotësisht të drejtë, pasi kjo është të jesh shoqëri e lirë në një komb të lirë, por asnjëri prej tyre nuk mund t’ju shesë moral. Nuk ngatërroj këtu të rinj që nuk janë dakord me Ju, siç janë djemtë e “Vetëvendosjes”, që ju kundërshtojnë me metoda shpeshherë jo konformiste, por mund të thuash se e duan atë vend po aq sa ju.
Po ashtu dua t’ju shpreh mbështetjen time në përbuzjen që keni shprehur për akuzat që ju bëhen nga disa shtetas zviceranë, pasi jam i bindur që rrufetë bien gjithmonë në majën e malit dhe jo në batak. Vetë ky fakt, tregon se ju keni bërë emër, dhe hasmi nuk do lërë gur pa lëvizur, e legen pa tringëllitur që t’ju përbaltë. Unë mund t’ju them që të bëni gajret, pasi gjithmonë ky ka qenë fati i tribunëve. UÇK-ja do mbetet në histori dhe do ta kujtojë një popull sot shtatë, e nesër kushedi sa milionësh, ndërsa ata që do mundohen t’ju përbaltin, do harrohen po aq shpejt sa fëmija harron përrallën e natës.
Që të vijmë në ditët tona, mendoj se fitorja juaj ka qenë plotësisht e merituar dhe madje do të thosha shumë e vonuar. Mund të ketë pasur manipulime, të cilat kanë ndikuar në masën e fitores, por jo në rezultatin final të saj, ashtu siç mendoj se tre vjet qeverisje ishin shumë pak që ju të tregonit gjithë kapacitetet tuaja, ndaj kjo ishte edhe një fitore e nevojshme.
Thuhet se në çdo gëzim, ka nga një ters që e prish atë, ose të paktën mundohet. Unë nuk do doja ta prishja festën, ku shpirtërisht pjesëmarrës jam edhe vetë, por thjesht të shfaqja disa mendime për reagimet Tuaja paszgjedhore, dhe sjelljen Tuaj në të ardhmen, të cilat shpresoj t’ju hyjnë në punë.
Pas fitores, ata që i kontestuan, i quajtët komunistë dhe rezervat e tyre si të një mentaliteti të tillë. Besoj se kjo nuk është gjuha juaj, por e importuar nga vende, ku kjo shprehje është bërë e modës dhe refren i çdo demagogu që për të salduar prapanicën e vet në karrigen e pushtetit nuk ngurron të manipulojnë zgjedhjet, e nëse viktima kundërshton ta quajnë komunist. Dhe quajnë komunist, ata që në emër të tij kanë marrë në qafë njerëz. Them vetëm për disa të tillë (dhe jo për masën e madhe besimtarë të këtij ideali), të cilët nuk kanë shtyllë kurrizore, dhe nëse do fitonte nazizmi, do ishin bërë të tillë, ashtu sikurse nëse do ishim bërë republikë e shtatë do ishin anëtarë të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë. Ky soj nuk e ka për gjë të lëpijë atë që ka pështyrë dje; të kafshojë dorën që e ka puthur ose të vrasë atë që e ka ndihmuar. Edhe ardhja e këtij soji në pushtet, kur ndodh, ngjan sepse nuk kanë pasur shtyllë kurrizore, por jo për shkak të meritave, trimërisë apo dhuntive që kanë.
Në të kundërtën, për Ju, unë, por edhe shumë si unë, mendojnë se në pushtet keni ardhur për shkak të meritave, trimërisë dhe atdhedashurisë. Ju dhe shokët Tuaj, e keni parë vdekjen në sy dhe keni bërë atë që shumë nuk do ta bënin, ndërsa ca të tjerë që e duan këtë vend do mendoheshin, pasi frika lind bashkë me njeriun dhe duhet forcë ta mposhtësh. Ju jeni nga ata që e mposhtët frikën dhe i dolët vendit tuaj për zot, ndaj nuk keni nevojë të merrni frazat e askujt, aq më tepër të atyre që nuk shquhen për burrëri e trimëri.
Ju dhe shokët Tuaj, keni hyrë nga dera në histori, dhe do mbeteni e do kujtoheni edhe pasi mos jeni në këtë botë, ndaj nuk keni pse kopjoni njerëz që edhe vetë e dinë që nuk vlejnë dhe pavarësisht se po rropaten që të hyjnë në Panteon nga dritaret a me llagëme, emri do ju kujtohet shumë pak.
Është i gabuar ky epitet zoti Hashim, pasi në atë që aktualisht quhet Shqipëri, ka pasur me qindra mijëra njerëz që kanë besuar në atë ideal; kanë luftuar për të, por edhe për Shqipërinë; dhe e kanë dashur dhe e duan Kosovën po aq sa shqiptarët e atjeshëm. E them këtë, se pavarësisht luftës ideologjike, historia ende nuk e ka thënë fjalën e fundit për komunistët shqiptarë dhe patriotizmin e tyre, ku shumë besojnë se kanë qenë atdhetarë dhe përpiqeshin nën flamurin e komunizmit, të bënin Shqipërinë zonjë. Fati nuk i ndihmoi, por nuk mund t’i akuzosh për burracakë, dhe aq më pak Ju nuk duhet të bini në këtë qerthull alla shqiptar.
Në mbyllje, dua ta mbyll me urimin që ky vit qoftë viti i parë i qeverisjes tuaj katërvjeçare. Në zgjedhjet e ardhshme shpresoj që të fitoni, por mbi të gjitha kur të vijë koha, të bëni një proces të panjollë, edhe nëse kjo do rrezikojë që të humbisni pushtetin. Më besoni se në histori ndodh që ka më shumë lavdi në një betejë të humbur, sesa në dhjetëra beteja të fituara.