Lavitola: Në Shqipëri do bëj goditje biblike
Sekseri italian, Valter Lavitola, përgjimet e të cilit po publikohen nga gazeta La Repubblica, e dinte që po përgjohej. Kështu bën të ditur gazeta italiane, e cila thotë se në një rast, ai shmang qëllimisht një bisedë me Berluskonin, që i vinte nga sekretaria e kryeministrit italian. Jo, jo, e marr unë nga telefoni fiks, thotë ai.
Sipas La Repubblica-s, Lavitola përdorte kode komunikimi gjatë telefonatave të shumta që bënte. Do të bëj një bingo, një bingo biblike në Shqipëri, thotë Lavitola në një telefonatë me Paolo Polettin, zëvendësdrejtor i Shërbimit Sekret Civil. Nuk dihet për çfarë afere bëhet fjalë, por Lavitola thotë se do e mbarojë shumë shpejt. Janë disa telefonata ku del çështja e ndërhyrjeve në Shqipëri.
Ndërkohë, siç thotë La Repubblica, e vetmja herë kur Lavitola përdor emrin e Berluskonit, është kur flet me Ilir Metën. Mirëmbrëma, Berluskoni nuk është. Është nisur për në Rusi, më ka lënë shumë përshëndetje. Më pas me të do kombinojmë një takim, thotë Lavitola.