Lavrov: “Pavarësia e Kosovës, e rrezikshme”
Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, gjatë një bisede telefonike me sekretaren amerikane të Shtetit, Kondoleza Rajs, është shprehur se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës është e rrezikshme për stabilitetin ndërkombëtar. Lavrov edhe një herë ka theksuar kundërshtinë e Rusisë ndaj Deklaratës unilaterale të Pavarësisë. Ministria e Jashtme ruse, nëpërmjet një njoftimi, ka bërë të ditur se Lavrov dhe Rajs kanë biseduar për Kosovën me nismën e Uashingtonit. Ndërsa i dërguari special rus për Ballkanin, Aleksandër Botsan Harçenko, ka bërë të ditur se Rusia po vazhdon bisedimet me palët rreth Deklaratës së Pavarësisë, pavarësisht nga pikëpamjet e tyre. “Përsa i përket dialogut, të paktën ne po e vazhdojmë me këdo dhe natyrisht me ata që ndajnë pikëpamjen tonë apo shqetësimet tona. Megjithatë, ne po vazhdojmë dialogun edhe me ato shtete me të cilat kemi mosmarrëveshje thelbësore mbi Kosovën”,-është shprehur Harçenko. Ai gjithashtu tha se Rusia pret që Këshilli i Sigurimit të monitorojë zhvillimet në Kosovë. “Tani puna është fokusuar te Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe ky do të jetë edhe drejtimi ynë kryesor në të ardhmen, pasi ne nisemi nga parimi se KS-ja vazhdon t’i kushtojë vëmendje dhe të mbajë situatën nën kontroll në Kosovë”.
20 Shkurt 2008