E Shtunë, 31 Tetor 2026

NATO mbyll për 24 orë pikat kufitare me Serbinë

Forcat e NATO-s kanë bërë të mundur gjatë ditës së djeshme mbylljen e dy pikave kufitare me Serbinë, duke shtuar edhe praninë e forcave të gatshme në to. Ky veprim erdhi pas djegies së dy pikave kufitare në Jarinë dhe Zubin Potok nga një turmë qytetarësh serbë. Këto dy pika, që lidhin Veriun e Kosovës me Jugun e Serbisë, ndodhen në Jarinë të Leposaviqit dhe në Zubin Potok. Pas ngjarjes në vend kanë shkuar forca të shumta të NATO-s. Mediat kosovare më pas kanë bërë të ditur se situata në vijën kufitare me Serbinë ishte qetësuar nën kontrollin e trupave paqeruajtëse. Sipas këtyre informacioneve, mbi 50 automjete nga Serbia kanë tentuar të hyjnë në Kosovë përmes pikës kufitare të Leposavicit, por janë ndaluar nga policia e UNMIK-ut. Të njëjtat burime kanë shtuar se një numër i madh trupash të KFOR-it kanë vazhduar të qëndrojnë në gatishmëri për të parandaluar çdo tensionim të mundshëm të situatës. Zëdhënësi i SHPK-së, Velton Elshani, njoftoi se ishin djegur edhe disa automjete të Shërbimit Doganor të Kosovës, Shërbimit Policor dhe të Kombeve të Bashkuara. Menjëherë pas kësaj ngjarjeje njësitë e KFOR-it kanë ndërhyrë në Veri të Kosovës. Policia ishte larguar si pasojë e sulmeve, duke kërkuar ndihmën e KFOR-it dhe burime policore janë shprehur se menjëherë kanë kërkuar ndërhyrjen e forcave ndërkombëtare. “KFOR-i po ndërhyn”, - tha një zëdhënës i forcave ndërkombëtare. “Protestuesit kanë shkatërruar pikën kufitare në Jarinë", - ka bërë të ditur policia, ndërsa pika tjetër kufitare është sulmuar pranë Zubin Potokut. Zëdhënësi i KFOR-it, Bertrand Boneau, i ka cilësuar këto sulme të popullsisë serbe të papranueshme. Sipas tij, pakënaqësitë e grupeve të ndryshme nuk ka pse të shprehen nëpërmjet dhunës. “Kemi dy pika kufitare që po digjen. Djegiet janë provokuar nga grupet e serbëve në Veri dhe Veriperëndim të Kosovës. Gjendja është thjesht e papranueshme. Deri tani kemi parë njerëzit të protestojnë lumturinë apo pakënaqësinë e tyre me dinjitet, maturi dhe përgjegjësi. Ne nuk mund t’i pranojmë këto sjellje që vijnë nga komuniteti serb”,-tha Bertrand Boneau, zëdhënësi i KFOR-it.
Në Mitrovicë është zhvilluar edhe një protestë e paralajmëruar e studentëve dhe profesorëve të Universitetit, i cili e konsideron veten pjesë të Prishtinës. Ata kanë protestuar kundër shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe protesta ka qenë paqësore. Ndërkohë, policia e Graçanicës ka marrë një informacion të rremë, sipas të cilit një bombë ishte vendosur në një shkollë fillore në Llapnasellë. Pas një kontrolli nga pjesëtarët e SHPK-së dhe forcave të shumta të KFOR-it është vërtetuar se ky informacion ishte i rremë.

20 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›