Lavrov:Rusia nuk pranon pavarësinë e Kosovës

Ministri i Jashtëm i Rusisë Sergei Lavrov ka deklaruar se njohja e Kosovës dhe Osetisë së Jugut janë çështje që dallojnë në parim. Diplomati rus Lavrov, është shprehur gjithashtu, se shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës vitin e kaluar, përvec ngjarjeve të tjera, ka shënuar një precedent. Sipas Lavrov, njohja e pavarësisë së Kosovës është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Moska zyrtare vazhdon të jetë një kundërshtuese e fuqishme e pavarësisë së Kosovës dhe mbështetëse e aspiratave të Serbisë. Këto komente shefi i diplomacisë ruse Lavrov i bëri në konferencën vjetore për gazetarët në kryeqytetin Moskë, ku ka folur edhe për zhvillimet e tjera ndërkombëtare gjatë vitit 2008. Ai ka thënë se ky vit ka qenë mjaft i komplikuar, e disa herë edhe dramatik. "Ka ndodhur agresioni i Gjeorgjisë në Osetinë e Jugut, e cila nuk arriti kulmin e saj, falë veprimeve të Rusisë", ka theksuar Lavrov. Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov, foli edhe për konfliktin në Rripin e Gazës dhe problemet, që sipas tij, janë krijuar artificialisht në furnizimin e Europës me gaz.