Ukrainë-Moskë, pa zgjidhje "gazi"

Liderët rusë dhe ukrainas u takuan të shtunën në përpjekje për të zgjidhur mosmarrëveshjet mes dy vendeve për gazin, por pa sukses. Kryeministrja ukrainase Julia Timoshenko udhëtoi drejt Moskës për bisedime me homologun rus Vladimir Putin. Pas takimit me njëri-tjetrin në selinë e Kryeministrisë së Rusisë, Putin dhe Timoshenko u drejtuan menjëherë për në Kremlin për të marrë pjesë në konferencën e gzait të injiciuar nga Presidenti rus Dimitri Medvedev. Rusia kishte ftuar liderët e të gjithë vendeve që konsumojnë gazin e saj në një samit në Kremlin. BE-ja përfaqësohej në këtë takim nga Komisioneri Europian për Energjinë Andris Piebalgs, si dhe nga ministri çek i Industrisë dhe Tregtisë Martin Riman, vendi i të cilit mban presidencën e radhës së Bashkimit Europian. Në hapje të samitit Presidenti rus Medvedev tha se përpjekjet për zgjidhjen e krizës së gazit kishin rezultuar pa sukses akoma. "Fatkeqësisht, dhe unë do të doja ta nënvizoja këtë, të gjitha përpjekjet kanë rezultuar të pasuksesshme. Shumë njerëz që jetojnë në një pjesë të vendeve europiane të prekura nga kriza, do të mbeten pa ngrohje", u shpreh Medvedev. Lideri rus tha se Moska do të bënte gjithcka për të zgjidhur krizën e gazit sa më shpejt që të ishte e mundur. "Situata në të cilën ndodhemi dueht të zgjidhet sa më shpejt, pavarësisht dështimit të përpjekjeve të deritanishme", shtoi ai. Ndërkohë që zëdhënësi i Komisionit Europian Denis Danilidis, njoftoi nga Moska se diskutimet e mbajtura në konferencën ndërkombëtare të zhvilluara në Kremlin mbi krizën e gazit kishin qënë konstruktive, por nuk kishin cuar në asnjë rezultat konkret.