E Diel, 1 Nëntor 2026

Lazaratasve u hiqen xhamat e zinj nga makinat

Autori i Lajmit: red.
Banorët e Lazaratit po “ngacmohen” pak nga pak, me strategjinë e re që po ndjek drejtori i emëruar pak javë më parë, i Policisë së Gjirokastrës, Arben Hysenaj, ish-kryepolici i Elbasanit. Në operacionin e koduar “Siguria e Jetës”, dje janë hequr xhamat e zinj për 13 automjete, duke e çuar në 100 numrin e përgjithshëm të makinave që u janë hequr errësuesit e qëllimshëm që janë montuar nga banorët e zonës “së nxehtë”. Ndërkohë, po dje, nga postblloqet e policisë janë bllokuar shtatë autovetura, të cilat ishin pa dokumente, si dhe një kamion i ngarkuar me çisterna metalike që shërbente për transport uji. Kurse gjobat e prera dhe të mbledhura nga lazaratasit, vetëm dje ishin 60 mijë lekë. Për shkak të mosbindjes ndaj ligjit, Policia e Gjirokastrës shoqëroi dhe ka nisur procedimin penal në gjendje të lirë për 21-vjeçarin Ervin Bujar Bejko, lindur dhe banues në fshatin Lazarat të rrethit Gjirokastër. “Procedimi penal ka nisur për arsye se Bejko nuk kishte leje drejtimi për të drejtuar automjetin tip “Benz” me traga GJ 9346 A dhe ishte rast i përsëritur, pasi në datën 4 shtator 08, ai ishte gjobitur për mungesë të lejes së drejtimit të automjetit, pasi drejtonte po të njëjtin mjet”, - deklaroi Drejtoria e Policisë së Qarkut Gjirokastër. Ndërkohë, materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjirokastër për veprën penale të “Drejtimit të mjetit në gjendje të dehur apo pa dëshmi”. Sakaq, policia tha se operacioni i koduar “Siguria e jetës”, do të vazhdojë edhe ditët në vijim.
Ky lajm është publikuar: 11/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›