Laze “zbulon” ”Gjithë femrat e Amsterdamit”
Udhëtim befasues i një tridhjetedyvjeçari. Surprizë e çuditshme në Amsterdam nga e dashura Emili, ish-punëdhënësja e fondacionit. Marrëdhënie plot aventurë. Surpriza, bashkë me misterin dhe joshjen, ka një kusht tronditës. Për të fituar para dhe zemrën e së dashurës kalon më parë si recens në shtrat me të tjerat. Nga një shtëpi në tjetrën, dimensione erotike, sociale dhe politike marrin ngjyrime paradoksale. Gjuha e huaj, kombësia hapin jo vetëm dyer, por edhe këmbë femrash. Murgesha që lënë mënjanë rrobën dhe kryqin dhe paguajnë kënaqësinë e shtratit. Prindër që pajtohen me seksin e vajzës nga nevoja dhe kombësia gënjeshtare e recensit. Përtej lulishteve me tulipanë të intrigon një botë e panjohur, në vese e perversitet. Përballë, një bashkëshort i moshuar, që akuzohet për imoralitet me gruan e tij. Historia e një përkthyesi që nis në Shqipëri dhe përfundon si hamshor amerikan në papafingot holandeze. Humor, intrigë, dhimbje, dashuri, seks, para dhe absurd është lënda që servir romani më i fundit i hedhur në treg nga autori Luan Laze. Fantazi dhe gjuhë satirike që mbërthejnë lexuesin nga një kapitull në tjetrin. Si në ekran vijojnë çuditë e racës njerëzore, që emetojnë civilizim, të drejta dhe modë. Ndodhi e të tjerëve që nuk i jepni dot përgjigje: Nëse dëshironi të ishit protagonist apo jo? Dilemë që nuk do ta keni, pse u bëtë lexues i kësaj historie krejt të veçantë. Romani vjen si botim i shtëpisë botuese “Gjergj Fishta” dhe mbyllet me epilogun në faqen 228. Tashmë ai mund të gjendet nga lexuesi në të gjitha libraritë kryesore të vendit.
22 Shkurt 2008