E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Mezuraj” boton katalogun luksoz 20 mijë euro

Moikom Zeqo: “Muzetë privatë, shpresa ekzistenciale e piktorëve shqiptarë”. Sot në muzeun “Mezuraj” përurohet ekspozita e piktorit Artur Muharremi
Petrika GROSI
Këto ditë sapo ka ardhur nga Lubjana botimi më i fundit i muzeut privat “Mezuraj” në Tiranë. Kësaj here bëhet fjalë për një tjetër katalog luksoz, i dyti për muzeun tashmë të njohur në Shqipëri, i cili përmban kritika, studime, skica e vepra të piktorit të njohur Artur Muharremi. Ndërkaq, sot pasdite pritet që të përurohet ekspozita vetjake e piktorit në ambientet e muzeut “Mezuraj”. Për më tepër, vetë drejtori i muzeut, studiuesi Moikom Zeqo, jep detaje të tjera në intervistën që vijon. E jo vetëm kaq, pasi biseda jonë me dr. Zeqon vijon të trajtojë dhe një problem të rëndësishëm në tregun e arteve vizuale në Shqipëri, siç është mosqarkullimi i veprave të piktorëve të ndryshëm të njohur e të panjohur, si dhe mungesën e ankandeve.
“Mezuraj” sapo ka përuruar albumin më të fundit. Çdo të thoshte Moikom Zeqo si drejtor i muzeut në lidhje me këtë ngjarje?
Ky album tepër luksoz i kushtohet krijimtarisë pikturike të artistit të njohur Artur Muharremi. Është një ngjarje kulturore e veçantë. Pse? Dihet boshllëku i madh dhe i frikshëm në rrafshin e botimeve të këtij lloji në Shqipëri. Deri sot nuk është realizuar botimi i një albumi për asnjë piktor të traditës, qoftë për ikonografin gjenial të shek. XVI Onufri, Kolë Idromenon, Vangjush Mihon, Zef Kolombin, Abdurrahim Buzën, apo Sali Shijakun dhe Skënder Kamberin. Albumi për Muharremin është bërë nga muzeu privat “Mezuraj” në bazë të tri kritereve:
1) Është respektuar kriteri kronologjik, shtjellohet tërë afresku shumëskenësh i piktorit në vite.
2) Kriteri sinkretik, d.m.th. albumi ka një studim të gjatë tipologjik për artin e këtij artisti prej afro 40 faqesh shqip-anglisht, për publikun shqiptar dhe atë të huaj, duke e shoqëruar me një informacion shkencor të rëndësishëm për çdo pikturë.
3) Kriteri estetik përfaqësues, që do të thotë përzgjedhja me ngulm dhe me konsekuencë e niveleve të pikturave e të krijimtarisë.
Puna për këtë album ka qenë 3-vjeçare. Albumi ngrihet mbi shtratin e katalogimit dhe regjistrimit në Qendrën e Regjistrimit të Artit dhe Veprave të Trashëgimisë Kulturore të afro 350 punimeve të Arturit, duke bërë një katalogim të dyfishtë vizual, por dhe me tekst në shqip dhe në anglisht të hedhur në internet. Kështu krijohen premisat për qarkullimin e vlerave të këtij piktori shqiptar në tërë sistemin informatik dixhital të botës.
Si u arrit dhe cila ishte kostoja e këtij botimi?
Është meritë e padiskutueshme e presidentit të muzeut, z. Eduard Mezuraj, i cili bëri dy gjëra të veçanta. Lidhi kontratë pune me piktorin Artur Muharremi, duke ringjallur kështu institucionin e mercenatit, gjithashtu, ka ekspozuar pikturat në një mjedis tepër ekzotik dhe tërheqës, duke i dhënë publicitet të veçantë dhe ka sponsorizuar të tërë punën shkencore por dhe fotografimin e formulimin grafik të kësaj krijimtarie, duke realizuar edhe botimin në cilësi të lartë në një nga shtypshkronjat më të mëdha europiane e me famë në Lubjanë. Kostoja e këtij albumi i ka kaluar 20 mijë euro.
Ky është albumi i dytë luksoz që vjen prej jush. A do të kemi një të tretë?
Për vitin 2008 unë po shkruaj një studim të zgjeruar për fondin arkeologjik të muzeut, që do të paraqitet gjithashtu në një album të veçantë. Mund të them se pasuria më e madhe e këtij muzeu janë objektet arkeologjike, madje më shumë sesa pikturat. Albumi i katërt që kemi në proces do t’i kushtohet krijimtarisë së piktorit të shquar të traditës, Ismail Lulani. Duke pasur parasysh që institucionet shtetërore që kanë lidhje me artin figurativ në Shqipëri, për arsye të ndryshme nuk arrijnë dot të bëjnë botime të tilla, sot për sot, mund të them se institucionet private me nismat e tyre plotësojnë boshllëkun dhe hapin rrugë të reja. Tipologjia e këtij albumi është shprehëse dhe inkurajuese. Mendoj se do të ndikojë edhe në rrafshin studimor e atë të publikimit. Nuk mund të lë pa përmendur punën e përkushtuar dhe të mirë të stafit të muzeut, të kuratorit Kujtim Ahmataj, sekretares teknike Marjola Naçi, fotografit Devis Fusha dhe mjeshtrit të artit grafik Elsi Kondo. Ky ekip funksionon shkëlqyeshëm dhe është një mundësi për realizime të reja.
Sot muzeu “Mezuraj” përuron ekspozitën e radhës të Artur Muharremit. Pse menjëherë pas botimit të albumit kjo ekspozitë?
Qëllimi është i dyfishtë. Njohja me subjektet më përfaqësuese të krijimtarisë së piktorit, por edhe paraqitja për marketing e disa prej pikturave të tij, përtej atyre që kanë mbetur përfundimisht në fondin tonë. Meqenëse legjislacioni shqiptar e lejon dhe e bën funksional institucionin e ankandit, dëshirojmë që ta promovojmë ankandin e pikturave edhe në Shqipëri, siç ndodh kudo në botë. Dalim kështu te një problem tejet i thekshëm, shitja e pikturave si një proces qarkullimi dhe si një marrëdhënie e artistit me publikun. Dihet që vitet e fundit shumë piktorë shqiptarë, mes tyre edhe të shquar, për shumë arsye e kanë pasur të vështirë që të shesin pikturat, madje janë bllokuar në vështirësi financiare jetike dhe ekzistenciale. Shitja nëpërmjet formës institucionale është rruga më e sigurt për marketingun e pikturave dhe të krijimit të kushteve financiare për artistët, por dhe të njohjes së veprës së tyre. Kjo gjë funksionon në botën e qytetëruar prej shekujsh, kurse në Shqipëri jemi ende në një fillim të brishtë, por gjithsesi premtues. E gjithë puna është te standardet ndërkombëtare. D.m.th. niveli bashkëkohor i ekspozimit, paraqitja e parametrave modernë dhe ndërkombëtarë të botimit të albumeve pa u shkëputur nga praktika juridike e shitjeve dhe ankandit. Kjo pika e fundit është kuptuar pak në Shqipëri dhe ende kemi recidivët e praktikave të dikurshme që janë jashtë loje. Në shoqërinë e sotme, kuptimi substancial i këtyre ideve mund të bëjë që të mbijetojnë artistët dhe arti i tyre.

22 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›