SHBA gjuan me raketë satelitin spiun, proteston Kina
Partia Komuniste Kineze akuzon Uashingtonin për standarde të dyfishta .Pentagoni: “Nuk kemi provuar asnjë armë të re amerikane antisatelit”
Sipas agjencisë së lajmeve BBC, Kina ka protestuar për aksionin më të fundit të amerikanëve me një satelit, i cili pretendohet se kishte dalë jashtë kontrollit dhe më pas u shkatërrua me anë të raketave. Ja si shprehet BBC në lidhje me këtë ngjarje:
“Kina ka kërkuar që Shtetet e Bashkuara të japin informacion të plotë për shkatërrimin e një sateliti spiun që doli jashtë kontrollit. Ata thanë se sateliti ishte gati të futej përsëri në atmosferën e Tokës. Kina tha se ishte e brengosur për ndikimin që ky mision mund të kishte mbi sigurinë e hapësirës dhe sigurinë e vendeve të tjera. Gazeta e Partisë Komuniste kineze e akuzonte Uashingtonin për standard të dyfishtë. Amerikanët thanë se e asgjësuan satelitin për shkak të shqetësimit të përhapjes së gazrave toksikë nga depozita e tij e karburantit. Sateliti u godit me një raketë të lëshuar nga një luftanije amerikane në Paqësor. Në një deklaratë të ushtrisë amerikane thuhej se misioni i shkatërrimit të satelitit ishte i suksesshëm. Presidenti Bush kishte dhënë urdhër për shkatërrimin e këtij sateliti javën e kaluar”. Ndërkaq, edhe “Zëri i Amerikës” jep variantin e tij:
“Zyrtarët amerikanë të mbrojtjes thonë se një raketë e lëshuar nga një anije e marinës goditi me sukses një satelit spiun amerikan që ishte në rënie. Zyrtarët thonë se arritën të konfirmojnë se sateliti u godit dje (pardje) në mbrëmje, por nuk u mor vesh menjëherë nëse u shkatërrua serbatori i karburantit në satelitin me përmasat e një autobusi. Objektivi ishte që karburanti të digjej në hapësirë për të shmangur rrezikun shëndetësor që do të ishte i pranishëm nëse arrin në tokë. Në një deklaratë të Pentagonit thuhet se pothuajse të gjitha copët do të digjen gjatë rënies. Anijet amerikane të marinës ishin vendosur në pozicione në Oqeanin Paqësor, në perëndim të Havait, në përpjekje për të goditur satelitin. Zëdhënësi i Pentagonit, Bryan Whitman, i ka kundërshtuar akuzat se goditja e satelitit ishte njëkohësisht edhe për të provuar një armë të re amerikane antisatelit. Zyrtarët thonë se tre raketat e përgatitura për operacionin ishin modifikuar nga konfiguracioni i tyre i zakonshëm, që përdoret për raketat balistike”.
22 Shkurt 2008