E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lazhë, arrestohet polici i rremë i Interpolit

Një 51 vjeçar nga komuna e Zejmenit, në rrethin e Lezhës, u arrestua nga policia lokale, për vepren penale të "vjedhjes, me anë të mashtrimit".
Në kuadër të operacionit të koduar "Grepi", sot në kryqëzimin e Shëngjinit, në stacionin e furgonëve, u arrestua shtetasit Gjin Ndrecaj. Sipas policisë, ky shtetas është prezantuar si polic i Interpolit, me një emër të rremë, të quajtur Gjon Marku, dhe duke përfituar nga gjendja emocionale e familjarëve të këtij qarku, të cilët kanë humbur fëmijët në tragjedinë e 9 Janarit në kanalin e Otrantos, ka filluar të kontaktojë me ta duke kërkuar për çdo rast sasi të konsiderueshme parash, në këmbim të gjetjes së eshtrave të fëmijëve të tyre.
Gjatë kontrollit në momentin e kapjes, atij iu gjet dhe sekuestrua me cilësinë e provës materiale një granatë dore së bashku me ndezësin, një pasaportë në emër të shtetasit Nikolin Ndoj, një kartë identiteti të një vajze nga Kallmeti, telefona, fletore me adresa, të cilat i mbante me vete në një çantë dore. Grupi hetimor i Drejtorisë së Policisë së Qarkut Lezhë po punon për dokumentimin e çdo rasti mashtrimi që mund të ketë kryer ky shtetas, dhe për sqarimin e plotë të kësaj ngjarje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›