E Shtunë, 31 Tetor 2026

Le Clézio Shkrimtari nomad fiton "Nobelin"

 

TIRANE-Akademia suedeze sërish ka surprizuar. I zgjedhuri i saj këtë vit për letërsinë është shkrimtari francez me baba britanik dhe thuajse tërësisht i tërhequr nga rrethet letrare franceze, Jean-Marie Gustave Le Clézio. Në mediat italiane nuk është fshehur habia, e shoqëruar me nota të thella ironie. "Kush?" Le Clezio, i sulmuar nga kritikët, sidomos pas vendimit të djeshëm të Akademisë suedeze me argumentin se ai është shkrimtar mediokër dhe nuk e meriton "Nobelin", iu ka dhënë një goditje të madhe sidomos kompanive të basteve që as e mendonin se ai do ta rrëmbente çmimin e madh të letërsisë.
Motivimi që ka shoqëruar njoftimin e Akademisë Nobel për shkrimtarin francez ishte: "Autor i nisjeve të reja, aventurës poetike dhe ekstazës sensuale, eksplorues i njerëzimit përtej kufijve të qytetërimit".
Në një intervistë dhënë në radion shtetërore suedeze pas marrjes së çmimit, Jean-Marie Gustave Le Clézio u shpreh se ishte "shumë i vlerësuar dhe i prekur" për këtë shpërblim. "Është një nder i madh për mua", - ka shtuar ai, duke theksuar se e falenderonte me shumë sinqeritet Akademinë Nobel. Pyetjes nëse ai e konsideronte veten si një shkrimtar francez apo frankofon, ai iu për-gjigj: "Nuk besoj se mes këtyre dy termave mund të bëhet dallimi. Unë kam lindur në Francë, babai im ishte britanik dhe unë jam rezultat i një përzierje, ashtu si shumë njerëz të tjerë në Evropë". Jean-Marie Gustave Le Clézio, 68 vjeç, do të marrë një çmim prej 10 milionë kronor, (mbi 1 milionë euro), medaljen e artë të çmimit 'Nobel' për Letërsi si dhe do të ftohet të japë leksion në selinë qendrore të akademisë në qytetin e vjetër të Stokholmit. Le Clezio është konsideruar si person i favorizuar në rrethet letrare suedeze që prej disa vitesh. Në qershor ai fitoi çmimin letrar suedez "Stig Dagerman", që do t'i dorëzohet në tetor në Stokholm. Vepra e tij e shumëllojshme përmend udhëtimet dhe trajton temën e kulturave të ndryshme, kryesisht të Amerikës Latine dhe të Afrikës.
Ky person shumë i shëtitur, admirues i Stevenson dhe i Conrad është një autor kult që prej shumë kohësh në Francë, gjë që dëshmon shtimin e kërkesave për librat e tij.
Shtatlartë, me sy bojëqiell, me pamjen fotozhenike të një kauboji elegant, Clezio është një njeri i ndritur dhe i turpshëm, më pak i vrazhdë sesa e cilësojnë dhe flet në një mënyrë sa të qetë, aq edhe bindëse. E quajnë "shkrimtar nomand", "një indian i qytetit" apo "panteist i mrekullueshëm", pseudonime të justifikuara, sepse ai adhuron natyrën. Vepra e tij është e përkthyer në shumë gjuhë të botës dhe sjell nostalgjinë për kohët e mëparshme. Deri në vitet '80, Clezio ishte konsideruar si një shkrimtar novator dhe i revoltuar, pasi trajtonte temat e çmendurisë dhe të folurit, por më vonë ai shkroi libra ku zotëronte tema e fëmijërisë, problemet e minoriteteve, ndërkohë që pasioni për udhëtimet dilte në plan të parë, duke tërhequr vëmendjen e opinionit publik.
Clezio lindi më 13 prill 1940, në Nisë, në jug të Francës, nga një familje që imigroi në ishullin Maurice në shekullin e 18-të. Pasi u diplomua për Letërsi, ai punoi në universitetin e Bristolit, në Londër. Në vitet '70, udhëtoi në Meksikë dhe në Panama dhe jetoi për shumë vite pranë indianëve.
"Kjo eksperiencë ndryshoi gjithë jetën time, idetë e mia për botën, artin, mënyrën time të të sjellit me të tjerët, të ecurit, të ushqyerit, të fjeturit, të dashuruarit, deri tek ëndrrat e mia", - shkruan Clezio. "Mendoj se jam diçka e vogël në këtë planet dhe letërsia më ndihmon të shpreh atë që ndiej, dhe nëse rastësisht një ditë do të filozofoja, do të më quanin një të mjerë që nuk ka kuptuar asgjë", - thotë ai. Ai u bë i njohur që në moshën 23 vjeç, kur fitoi çmimin "Reanuldot", një nga më prestigjiozet e letërsisë franceze me veprën "Le proces-verbal". Clezio jeton që prej disa vitesh në Nju Meksiko me bashkëshorten dhe dy vajzat e tyre. "Përmes gjuhës dhe librave mund të shkruaj ende për Francën e sotme, tek e shoh se jeton në përshtatje me rrjedhën e kohërave".

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›