E Diel, 1 Nëntor 2026

OPINION/Jo “të lumtë”, por “shyqyr që më së fundi u bë”

Nga Bashkim Kopliku
Kryeministri ynë po vetëmburret: mbarë e mbrapsht, pothuaj në të gjitha stacionet e tv e kudo tjetër. Vërtetë që kanë përfunduar disa gjëra të mira. Por ato nuk janë meritë e tij, bile, është ai fajtori kryesor që u përfunduan kaq vonë. Nuk ka vend për ta përgëzuar kryeministrin, por vetëm për të thënë 

... “shyqyr që më së fundi u bënë”, sepse edhe mund të mos bëheshin.
I vetmi person që ai cilëson si të suksesshëm, është Sali Berisha, vetja e tij. Nuk përmend asnjë emër tjetër nga të gjallët rreth tij. Nuk përmend as emër të ndonjë ministri, as të ndonjë zyrtari të lartë, bile dhe as të ndonjë të ulëti, që pak shanse ka të jetë konkurrent i tij për t’i zënë vendin. Duket qartë mania për të mos lënë asnjë shans konkurrence, as në kampin e vet. Edhe Enver Hoxha e ka pas përmbajtur veten nga ky lloj ekstremi vetëlëvdatash.
Qëllimi kryesor i z. Berisha është sigurimi i riciklimit personalisht në postin e kryeministrit, edhe në vitet që vijnë. Prandaj dhe ka filluar xhirot me inaugurime, dhe me sulm psikik në kokat e shqiptarëve. Sulmi ka bazën e shprehur me togfjalëshin “i lumtë Sali Berishës që bëri filan gjë”. “I lumtë?!”, megjithëse pothuajse të gjitha ato që po inauguron, janë të penguara, janë të vonuara nga vetë ai.
Po ilustrojmë me vetëm pak shembuj.
* * *
“Shyqyr që më së fundi u privatizua Telekomi”. Ishte Ai personalisht që e zgjati dhe dy vjet të tjera privatizimin e tij, me justifikime “rritje çmimi”, “lufte kundër korrupsionit” etj.
Asëll-asëll, Telekomi do të duhej të privatizohej që nga viti 1995. Po ngrihej, që në 1994, enti rregullator dhe kishte filluar puna konkrete për privatizimin. Kryeministri Berisha është fajtori i stërzgjatjes së privatizimit të Telekomit, jo vetëm me këto dy vjetët pas 2005-ës, por edhe me shkatërrimin e Shqipërisë në 1997-n. Natyrisht, edhe konkurrenti i tij, Fatos Nano, ka “kontributin” e tij, jo vetëm për “8 vjetët” që ishte në krye, dhe nuk e privatizoi (vitet 1997-2005), por edhe në “bashkë-kontributin” e tij në shkatërrimin e Shqipërisë në 1997.
Nejse, ajo që u arrit sot nga qeverisja “e re”, ishte “lënia edhe dy vjet të tjera pa konkurrencë” e dy kompanive të celularit (pjesë e Telekomit ishte dhe licenca e tretë e celularit!). Dy vjet të tjera, që do të thotë miliona dollarë monopoli, pra të tepërta, të marra nga xhepat e secilit prej nesh që përdor celularin.
* * *
Duket se për një pjesë të elektrikut, për shpërndarjen, po vjen koha të thuhet: “shyqyr që më së fundi po privatizohet”. E pra jo vetëm kjo pjesë, por i gjithë elektriku do të ishin privatizuar që para 12 vjetësh.
Ja se ç’shkruhej në Strategjinë e Privatizimit, të miratuar në vitin 1994: “Gjeneratorët [hidrocentralet etj.] duhet të fillojnë procesin e privatizimit menjëherë, në mënyrë që deri në fund të 1995 të jetë privatizuar jo më pak se 60% e fuqisë ekzistuese. [...] Shpërndarja deri në fund të 1994 të jetë privatizuar, jo më pak se 30% e saj dhe deri në fund të 1995 jo më pak se 80% e saj. [...] Transmetimi duhet të jetë privatizuar jo më vonë se fundi i 1996.”
Jemi në fund të vitit 2008, dhe akoma po diskutojmë privatizimin e vetëm të shpërndarjes. Siç thamë, ajo do të duhej të ishte privatizuar që para 12 vjetësh. Por jo vetëm ajo, por edhe pjesët e tjera të elektrikut, gjenerimi (burimet) dhe transmetimi, edhe ato do të duhej të ishin privatizuar që në 1996. E këto të dyja, nuk i përmend njeri.
* * *
Tani më së fundi po inaugurohen disa rrugë. Dy vjetët e para të qeverisjes së tij, të z. Berisha, pothuaj u frenuan fare ndërtimet e rrugëve. Jepeshin justifikime nga më të ndryshmet. Diku gjoja nuk bëheshin dot shpronësimet, diku lihej rruga e pa përfunduar sepse kishte gjëra më urgjente, diku tjetër justifikime të tjera.
Ishte e qartë se kryeministri qëllimisht po i grumbullonte investimet publike për në fund, për në vitin elektoral 2008-2009. Këtë e bënte për t’i rrejt mendjen shqiptarëve: “oh sa mirë me kryetarin Berisha”.
Më kujtohet gjyshja ime gjirokastrite. Kur isha i vogël, ditën e fundit që do të kthehesha në shtëpi, pas disa ditësh qëndrimi tek ajo, më thoshte: “Sonte do të hash byrek e jo fasule, se dita e fundit mbahet mend, e jo ato të tjerat”. Edhe kryeministri ynë, këtë ka shpresë: “që shqiptarët të kujtojnë vetëm vitin e fundit, kur të votojnë në 2009-n”.
* * *
Mund të vazhdonim me shembuj të tjerë, por do t’ju mërzisnim. Gjithsesi ka prapë shumë e shumë nga ato që akoma nuk janë kryer. Janë nga ato që ne shqiptarët do t’i kishim bërë me kohë, që para 12 vjetësh.
Gjatë viteve të para të demokracisë, gjatë viteve 1992-94, Shqipëria pati një ecje spektakolare me reformat. Por ndërroi për keq çdo gjë, pas humbjes, nga PD-ja, të referendumit të kushtetutës, atij të vitit 1994. Po të kishim vazhduar me tempin e fillimit, nga ana ekonomike sot do të kishim pasur një vend shumë më të fuqishëm. Kjo do të garantohej nga zbatimi i principit: “një shtet që zbaton ligjin, që ndërhyn vetëm në çështjet që i bën më mirë sesa individët në garë me njëri tjetrin”. Konkretisht do të kishim privatizuar me kohë elektrikun, ujësjellësit, shumë spitale, pothuaj çdo gjë që diku në botë është private. E natyrisht dhe me rrugët do të kishim qenë ku e ku me sot. Kurse nga ana politike, Shqipëria do të kishte qenë prej kohësh anëtare e NATO-s. Shqiptarët do të kishte vite që udhëtonin e punonin në Evropë pa vizat në ambasada. Sot Shqipëria do të kishte qenë duke pritur dita ditës anëtarësimin në BE (Bashkimin Evropian).
A do t’i kuptojë votuesi i vitit 2009, këto të vërteta?!

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›