E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Prokurimi elektronik lufton korrupsionin

Kryeministri Sali Berisha mori pjesë në ceremoninë e hapjes së projektit të trajnimit "Prokurimi publik me mjete elektronike". Sipas Kryeministrit, kjo metode" i jep përgjigjen më të mirë klientelës, pasi e zhduk atë" 

TIRANË- Kreu i qeverisë Sali Berisha vlerësoi sot se prokurimi elektronik është transparenca më e madhe që mund të bëhet me prokurimet publike.
Kreu i Qeverisë u shpreh kështu sot gjatë ceremonisë së hapjes së projektit të trajnimit "Prokurimi publik me mjete elektronike", që u organizua në ambientet e Hotel "Tirana International" nga Instituti i Trajnimit të Administratës Publike. Sipas kryeministrit, vendimi për zbatimin e prokurimeve elektronike nga data 1 janar 2009, do të cojë Shqipërinë drejt një niveli të ri për sa i përket lirisë së tregut.
"Nga 1 janari 2009, Agjencia e Prokurimeve Publike ka marrë urdhër të prerë që të mos publikojë asnjë tender, përveç se në formë elektronike. Me këtë, ne bëjmë jo vetëm një hap shumë të madh drejt një niveli të ri transparence, por edhe drejt një niveli të ri në lirinë e tregut, sepse i japim mundësi konkurencës së ndershme dhe të lirë dhe parandalojmë ndikimin e pandershëm në rregullat e lojës së burokracisë zyrtare", vuri në dukje Kryeministri Berisha.
Nga ana tjetër, ai informoi se "është faktuar që nga prokurimi elektronik kursehet 30-40 përqind më shumë se sa nga prokurimi i hapur". Gjithashtu, Sipas Kryeministrit, "kjo i jep përgjigjen më të mirë klientelës, pasi e zhduk atë". "Ne po procedojmë me një reformë të thellë në prokurimet publike, në taksat dhe tatime, në regjistrimin e biznesit, licensat dhe lejet. Pra, me proçedura dhe reforma, ne po luftojmë korrupsionin aty ku i ka shtretërit më të mëdhenj", tha Kreu i Qeverisë.
Kryeministri vuri në dukje se "prokurimi elektronik i vendos autoritetet kontrakuese të bashkive dhe komunave të vendit dhe sipërmarrjet e tjera familjare, në moshën dixhitale".

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›