E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkëlzen Berisha: Takimi me Fazllic, një shpifje e ulët

Djali i Kryeministrit të Shqipërisë, z. Shkëlzen Berisha, hodhi poshtë dje të gjitha supozimet dhe shpifjet e një të përditshmeje se gjoja është takuar me datën 4 janar me z. Damir Fazllic. Z. Berisha mohon takimin dhe mundësinë e ndonjë bisede më të për çështje të shitblerjes së energjisë elektrike duke i quajtur trillime të ulëta. Sipas z. Shkëlzen Berisha, sulmi ndaj tij ka prapavijë politike, ndërsa denoncon shpifjet e kësaj gazete dhe tregon arsyet pse nuk i drejtohet gjykatës për drejtësi. Djali i Kryeministrit kërkon paraqitjen e fakteve konkrete, në të kundërt kjo gazetë duhet t’i kërkojë falje publike për mashtrimin e radhës.
Përgënjeshtrimi i plotë
Në kryeartikullin e saj të datës 14 janar 2010, një e përditshme e njohur si gazetë shpifjesh, botoi gënjeshtrën e radhës ku dezinformohej opinioni për një takim timin me z. Damir Fazllic, të zhvilluar në datën 4 janar dhe të fiksuar në kamerat e sigurisë të një restoranti në Tiranë e ku tema e takimit ka pasur lidhje me shitjen e energjisë! Duke mos dashur t’ju humbas asnjë sekondë lexuesve për arsyet politike dhe financiare që shtyjnë z. Koço Kokëdhima për të botuar shpifjen e radhës ndaj personit tim, dëshiroj t’i bëj me dije opinionit se unë nuk kam diskutuar kurrë, asnjëherë dhe me askënd çështje të shitblerjes së energjisë elektrike. Për më tepër, takimi i supozuar midis meje dhe z. Fazllic në datë 4 janar është gjithashtu, fund e krye, një trillim i ulët i artikullshkruesit! Në pamundësi për të hedhur në gjyq gazetën në fjalë, në respekt të një angazhimi familjar për të mos ngritur padi penale e civile kundër medias, e ftoj z. Kokëdhima apo këdo tjetër që të provojë shpifjet në fjalë ose të kërkojë falje publike për mashtrimin e radhës!

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›