E Shtunë, 31 Tetor 2026

Le Monde: Dobësitë e raportit mbi trafikimin e organeve

E përditshmja prestigjoze franceze “Le Monde” i ka dedikuar një shkrim të posacëm akuzave të reporterit Dick Marty mbi trafikun e organeve njerëzore, duke nxjerrë në pah faktin se ato janë të pabazuara në prova.

Në librin e vet, të botuar më 2008, Carla del Ponte evokonte ekzistencen e një “Shtëpie të Verdhë”, e cila gjendej në afërsi të Burelit, në pjesën qendrore të Shqipërisë, e zbuluar nga një ekip i gazetarëve hulumtues. Sipas tyre, në këtë shtëpi akne qenë praktikuar tortura dhe heqja e organeve.
Jacques Rupnick, specialist i Ballkanit në CERI, prerazi thotë se është fjala këtu për një zhurmë mediatike.
“Si të shpjegohet ndryshe fakti se prokuroja e rangut të saj bën akuza të tilla pa ofruar asnjë provë, përderisa pikërisht ajo duhej të ishte në gjendje t`i argumentojë ato?”, shkruan Le Mond.
Madje edhe zëdhënësja e saj e dikurshme, Florence Hartmann, e kishte akuzuar se po bën akuza “pa ofruar as një grimë prove”. I pyetur lidhur me këtë çështje, gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, Bernard Kouchner, i dërguari special i OKB-së, nuk e kishte fshehur skepticizmin e vet karshi tezës për njëfarë “Shtëpie të verdhë”.

Mirëpo, raporti i Dick Martyt, ndonëse i autorizuar që të orvatet të nxjerr prova, është pikërisht pa prova. Këtë madje nuk e fsheh vetë deputeti zviceran. Ai është mbështetur kryesisht mbi dëshmitë dhe raportet e shërbimeve sekrete perëndimore. Në mungesë të mjeteve, ai nuk ka patur mundësi të vizitojë gjashtë vendet të cilat ai i ka identifikuar si burgje të UÇK-së në Shqipëri. Për shkaqe të sigurisë, ai nuk jep emrin e asnjë dëshmitari, disa prej të cilëve nuk kanë qenë të intervistuar nga ai, por nga ”përfaqësuese të shërbimeve policore të vendeve të ndryshme, nga hulumtues dhe universitarë e gazetarë hulumtues të një reputacioni dhe të një besueshmërie të pranuar”.
“Ka dëshmitarë të këtyre ngjarjeve që kanë qenë të eliminuar, të tjerë të frikësuar nga vet fakti pse i kanë pyetur lidhur me këto ngjarje”, arsyetohet ai.

Sipas Le Mond, rrjetet shqiptare të krimit të organizuar duket se është më vështirë të infiltrohen se sa mafia italiane”. Kështu UÇK-ja është përshkruar si një organizatë kriminale që përdorë “një imazh të bukur, të një armate guerile” për t`i maskuar aktivitetet e veta ilegale”.

Më 2004, një mision i Tribunalit të Hagës si dhe të UNMIK-ut, i dërguar për të hetuar lidhur me këtë “shtëpi të verdhë”, kishte gjetur injeksione, disa gjurmë të gjakut dhe epruveta të zbrazëta, por këto nuk kishin mjaftuar për të sajuar prova.

Sipas senatorit zviceran, gjithsesi, vrasjet me plumb në kokë, e menjëherë pastaj është bërë nxjerrja e organeve, nuk janë bërë në “shtëpinë e verdhë”. Ky vend ishte shumë larg nga aeroporti i Tiranës, kryeqytet i Shqipërisë, për të lejuar dërgimin e shpejt të organeve kah klinikat private perëndimore. Dick Marty pohon se heqja e organeve është bërë në Fushë Krujë, një qytet shumë më afër Tiranës dhe i pajisur me një klinikë.

Përveç akuzave, është kalendari i publikimit të këtij raporti që zgjon dyshimin. Paraqitja e akuzave të tilla kundër Hashim Thaçit, të nesërmen e fitores në zgjedhjet legjislative e çuditë Jacques Rupnickun.
“Me një raport të tillë, bëhet një ndërhyrje e drejtpërdrejtë në lojën politike të Kosovës, duke e delegjitimuar atë që ka dalë i pari dhe që tani duhet të organizojë negociata për koalicionin”. Profesori Rupnik mendon po kështu se me këto akuza është goditur edhe dialogu midis Kosovës dhe Serbisë, pasi s`mund të merret me mend një politikan serb i cili do të pranonte të hap me bisedimet me një lider të cilin Këshilli i Evropës do ta cilësonte si “kriminel”, shkruan Le Mond.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›